E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviç: Bllokadat nuk do të qëndrojnë gjatë!

“Situata aktuale dhe bllokadat në veriun e Kosovës nuk mund të zgjasin shumë. Gjithçka varet se kur përfaqësuesit e BE-së dhe të NATO-s do të kuptojnë se fjala është për luftën të cilën paraprakisht duhet ta humbin”, ka thënë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç.

“Me popullin i cili është i paarmatosur BE dhe NATO nuk kanë asnjë përparësi”, thotë Ivanioviç, sipas të cilit është në interesin e të gjithëve “në këtë lojë”, përfshirë shqiptarët e Kosovës, që çështja e pikave kufitare të zgjidhet sa më shpejt.

Sipas tij, deri në fund të javës do të ketë një zgjidhje, dhe si skenarë të mundshëm, siç thotë ai, “përmend ftesën e Prishtinës që gjithçka të zgjidhet përmes bisedimeve ose të arrihet një marrëveshje në nivelin lokal”.

“As kjo nuk përjashtohet, sepse përfaqësuesit e komunave kanë autorizime në këtë aspekt dhe ata mund të kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet. Kërkesa e tyre fillimisht do të jetë tërheqja e doganierëve dhe që EULEX të ketë kopetencat të cilat i kishte më herët, e që pastaj gjithçka të rregullohet me bisedime”, shton Ivanoviç, transmetojnë mediat beogradase.

Ai thotë se Prishtina më nuk do të vendosë embargo ndaj produkteve të Serbisë, dhe se “fjala është vetëm për frikësim”.

“Reagimi i njëjtë i Beogradit bllokadë me bllokadë, vetëm se do ta komplikonte jetën e shqiptarëve dhe të të gjithëve në rajon... Mund ta marrë me mend se si do të ishte po ta bllokonim Konçulin, Dheun e Bardhë, apo Merdaren. Atëherë shqiptarët do të drejtoheshin në Maqedoni dhe Shqipëri, gjë që nuk do të ishte mirë” ka theksuar Ivanoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›