E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviç: Do hiqen barrikadat në veri të Kosovës

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç ka pohuar se edhe para takimit në Beograd, ishte e qartë se vendimi do të ishte për heqjen e barrikadave.
Ai ka thënë se është logjike që serbët lokalë të veriut të harmonizojnë qëndrimet e tyre me kreun shtetëror të Serbisë.
“Takimi ishte i rëndësishëm në mënyrë që të mos dërgohen mesazhe nëpërmjet njerëzve të mesëm. Tashti, pas këtij takimit me presidentin, ata e kanë një pasqyrë më të qartë për atë se çfarë po bën Serbia për momentin, çfarë planifikon të bëjë, dhe ç`ka nuk mundet të bëjë”, ka thënë Ivanoviç.
Ndër të tjera, sekretari shtetëror ka pohuar se edhe për serbët në jug të Ibrit është e rëndësishme që veriu i Ibrit të mbetet siç është.
Vendimi përfundimtar për heqjen e barrikadave do të merret nesër në orën 12:00 në një mbledhje të të ashtuquajturit “Këshilli i Komunave Serbe”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›