Ivanoviç: Harta me ndryshimin e kufijve, nuk na intereson

“Ne e respektojmë Gjermaninë si shtetin më me ndikim në Evropë, por Guido Westerwelle duhet ta dijë se edhe Serbia ka qëndrim për rastin e Kosovës. Harta ku ata kanë shkruar kufij, neve nuk po na intereson dhe këtu nuk do të ndryshoj asgjë”. Ky ka qenë reagimi i sekretarit shtetëror të ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç.
Në lidhje me deklaratën e Westerwelles, i cili pasi vizitoi kufirin në Jarinje ka thënë se në Kosovë mund të shpërthej lehtë dhuna, Ivanoviç thotë se frika e tillë është e pranishme te të dy palët.
“Këtë mesazh duhet t`ua dërgoj shqiptarëve, sepse ne çdo akt që ka të bëjë me integrimin e dhunshëm të veriut të Kosovës e përjetojmë si dhunë. Prandaj, reagimi i popullit serb nuk duhet të befasojë askënd”, ka thënë Ivanoviç.
Megjithatë, ai shton se qeveria serbe do të bëjë gjithçka që të mos vijë deri te dhuna, për të theksuar se bisedimet janë mënyra e vetme për të arritur tek zgjidhja.