Korçë, Eliza Dushku shpallet qytetare nderi

Mes atmosferës dhe një show festiv të birrës Korça, aktorja e njohur hollivudiane, Eliza Dushku është shpallur nga këshilli bashkiak si qytetare nderi. Ajo nuk ka hezituar të kërcejë edhe vallet shqiptare në skenën e festës së birrës në Korçë, ndërsa ka deklaruar me krenari origjinën e saj.
Bashkia e Korçës po organizon Festën e Birrës, duke shënuar kulmin e sezonit turistik për qytetin. Pas suksesit të viteve më parë, kjo festë erdhi këtë vit, në edicionin e 5-të, të saj e shumëfishuar në të gjitha komponentët. “Festa e birrës … Vetëm në Korçë", është slogani i festës, duke tërhequr një numër mjaft të madh qytetarësh e vizitorësh, vendas e të huaj, të cilët festojnë deri në orët e vona të natës.
Me siguri, Festa e Birrës në Korçë, mund të quhet festa e traditës, ndërsa stafi organizator i festës ka menduar deri në detaje për të krijuar një atmosferë sa më festive. Ambienti i festës është zbukuruar edhe me elementë të veçantë dekorimi, ndërsa është shumëfishuar kapaciteti i tavolinave që janë vënë në dispozicion të qytetarëve.
E veçanta është prania e trupave diplomatikë, ambasadorja gjermane, ai i OSBE-së, i Holandës etj, të shoqëruar edhe nga akorja Eliza Dushku si dhe pronari i birra Korçës, Irfan Hysenbelliu, si dhe pjesëmarrja e të rinjve nga rrethinat të cilët u bënë edhe protagonistë të skenës në lojrat argëtuese të skenës.