Ivanoviç: Nëse veriu ndahet shqiptarët do t`i përzënë serbët

Përfaqësuesit serbë në veriun e Kosovës, kundërshtojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo që t`i jepet një status të veçantë veriut të Kosovës. Sipas tyre, kjo do të ishte ideja më e rrezikshme, sepse më pas serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës, do të dëbohen duke u konsideruar si tepricë e panevojshme, shkruan “Zëri”.
Oliver Ivanoviç, i ashtuquajtur ministër për Kosovën në qeverinë serbe është i sigurt se “tema veri” si dhe statusi i Kosovës do të diskutohen në bisedimet Beograd-Prishtinë. Prandaj, sipas tij, duhet pritur para se të jepen paragjykime për ndarje apo status të veçantë.
Për sa i përket ndarjes, ai mendon se për serbët nuk është e pëlqyeshme një ide e tillë, pasi ekziston rreziku që më pas të rrezikohet vendbanimi i serbëve të tjerë në jug të Kosovës.
“Nëse veriu shkëputet nga Kosovëa, kam frikë se shqiptarët do t`i përzënë serbët që jetojnë në jug të saj, duke i konsideruar si tepricë”, thotë Ivanoviç. Ai insiston se serbët nuk duan që veriu të udhëhiqet nga Prishtina, por për të gjetur një zgjidhje duhet pritur.
“Tani për tani nuk dua të flas për ndonjë model të mundshëm që do të ishte një zgjidhje për veriun, por duhet të ekzistojë një model përveç ndarjes, diçka më origjinale sesa nga ato që ka ofruar Brukseli. E për këtë mendoj se nuk duhetnxituar, këto çështje kërkojnë momentin e përshtatshëm”, tha ai.
Nsërsa, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç, ka kërkuar një politikë ndryshe për zgjidhjen e situatës në veri. I cituar nga mediat serbe ai ka thënë se të gjitha përpjekjet e qeverisë serbe për veriun gjatë 12 vjetëve të fundit kanë dështuar, prandaj duhet menduar një politikë ndryshe.