E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, 2 shqiptare tentojne te arratisen, hapin tunel ne burg

ATHINE-Dështoi plani për arratisjen e dy shqiptarëve dhe një greku nga burgu i Koridhalosë në Greqi.
Pas një inspektimi të kryer gjatë së kaluar, sot në mëngjes rojet e burgut zbuluan një tunel që kishte filluar nga një qeli, nën shtratin e një të burgosuri.

Tuneli i gërmuar kishte diametër 80 cm dhe gjatësi 10 metra. Plani ishte që tuneli t’i nxirrte të arratisurit nga qelia, në një zonë në Koridalo e më pas drejt lirisë.

Janë arrestuar për këtë vepër dy shqiptarë dhe një grek. Dy të parët janë të akuzuar për grabitje dhe trafik droge ndërsa i treti për vrasje.
Të burgosurve iu gjetën në qeli telefona celularë, rreth 5 m litar, vare, një kabllo, dy kova, një çekiç dhe një daltë.
Hetimi ka nisur menjëherë për të zbuluar mënyrën sesi kanë hyrë këto mjete në burgun e sigurisë së lartë, ndërkohë që tre të arestuarit u dërguan në Prokurori për t’u marrë në pyetje.

Autoritetet e burgjeve thonë se është tepër e vështirë të mbahet plotësisht nën kontroll situata në burgje për shkak mungesës së stafit të nevojshëm, që e bën jo vetëm të vështirë por edhe të rrezikshme punën e tyre.

Ndërkaq Ministria e Drejtësisë urdhëroi një hetim Administrativ lidhur me tentativën për për arratisje të tre të burgosurve në burgun Koridallos, pas zbulimit të një tuneli në krahun C të këtij burgu.

Burgu i Koridhalosë është bërë i njohur për opinionin sepse në të janë kryer disa arratisje të bujshme, ndër të cilat ajo e Alket Rizait dhe disa të burgosurve të tjerë shqiptarë.

Para disa kohësh autoritetet e burgut dhe të bashkisë së Koridhalosë diskutuan për zhvendosjen e të burgosurve në një godinë tjetër, por ende nuk është marrë asnjë vendim.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›