E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviç: S`do të njihen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk është i mundur pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ai ka theksuar se nëse ndonjë komunë e veriut i mban zgjedhjet në fjalë, rezultatet e tyre nuk do të pranohen.

“Nëse përfaqësuesit e serbëve në Zveçan dhe Zubin Potok vendosin t`i mbajnë zgjedhjet, ato nuk do të pranohen. Për t`i pranuar, Komisioni Zgjedhor Republikan do të lëshonte të tjera udhëzime”, transmetojnë mediat serbe deklaratën e Ivanoviç.

Ky i fundit ka vizituar të enjten disa fshatra të Komunës së Istogut. Ivanoviç ka deklaruar se serbët e Kosovës nuk duhet t`i përkeqësojnë marrëdhëniet me Beogradin.

Sipas tij, “zyrtarët lokalë duhet t`i mbrojnë interesat e popullit dhe me Serbinë e Beogradin të kenë marrëdhëniet më të mira të mundshme, sepse çdo gjë tjetër është e gabuar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për serbët që jetojnë në veri apo jug të Lumit Ibër”.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Që nga paslufta, Serbia ka organizuar disa herë zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, por mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë nuk i kanë cilësuar si të ligjshme rezultatet e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›