VV, Ahmeti: Thaçi po përgatit popullin për takim me Tadiç

Mohon të jetë takuar fshehtas me ndonjë nga ministrat apo përfaqësuesit e Qeverisë serbe, por shprehet se kryeministri i vendit Hashim Thaçi këto deklarata po i bën që të parapregatitë terrenin për vete, për një takim të mundshëm me Boris Tadiç. Kështu deklaroi nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, të cilin kryeministri e akuzuoi në seancën e Kuvendit se po bën takime të fshehta me serbët.
Ahmeti madje nuk është i sigurt se cilit takim i është referuar Thaçi, por sipas tij, nëse po flet për konferencën e mbajtur në Vjenë, aty ka përfaqësuar Vetëvendosjen dhe se ka qenë bashkë me anëtarët e të gjitha partive parlamentare të Kosovës.
Për Ahmetin, barazimi i takimeve të Vetëvendosjes në konferenca me takimet e fshehta që bën Thaçi me Tadiçin, janë absurde dhe qëllimkeqe.
“Vetëvendosje nuk mban takime të fshehta, nuk ka asgjë të fshehtë, nuk mban sekrete, ato që i kemi thënë publikisht i themi edhe para kujtdo tjetër. Nuk mund të barazohet një takim i kryeministrit me dikë që ia heqin emrin Republikë dhe vendos fusnotë, këto koncesione të barazohen se Vetëvendosja na paska qenë në Vjenë dhe paska prezantuar qëndrimet e veta. Do ta bëjmë edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Ahmeti shkon edhe më tej. Thotë se kryeministri ka bërë keq që ka folur për atë takim, se nëse dalin transkriptet çka është thënë atje, anëtarët e partisë së tij do të binin në pozitë shumë të keqe.
Por, edhe nëse kryeministri Thaçi nuk i referohet asaj konference, Ahmeti thotë që në asnjë mënyrë dhe askund nuk ka mbajtur takime me përfaqësuesit serbë.
“Në kapacitetin tim si nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe në kapacitete të tjera, unë nuk kam pasur takime të tilla me ministra apo përfaqësues të qeverisë serbe çfarë po i referohet, këto janë akuza të kota dhe shpifje. Si duket nuk e kanë informuar mirë agjentët për takimet dhe konferencat që janë diskutuar gjithë ato çështje. Unë mendoj që më shumë është që të paraqesin një huti tek qytetarët, se të gjithë jemi të njëjtë, këtë e kanë tentuar edhe me gjana të tjera, nuk e di prej çka duan ta tërheqin vëmendjen kur të gjithë qytetarët e Kosovës i kanë parë koncesionet që i ka bërë kjo Qeveri. Po përgatitet koncesioni i radhës për veriun dhe unë mendoj që kjo më shumë sot ka që të përgatitet populli në një takim të mundshëm të Thaçit me Tadiçit, dhe nëse relativizohet krejt çështjet, dhe thotë qe edhe Vetëvendosja është takuar nuk është punë e madhe, disi po na duket si përgatitje për këtë takim”, ka thënë ai.
Megjithatë, është dikush për të cilin Ahmeti nuk dëshiron të flasë. Berat Buzhala, e që që ka deklaruar se nuk ka qenë në tavolinë në darkë pas konferencës.
Ahmeti pohon se nëse nuk ka qenë Buzhala, ka pasur përfaqësues tjerë të PDK-së në atë tavolinë.
Konferenca për të cilën mendohet se i është referuar Hashim Thaçit, është organizuar nga Center for Inclusive Governance, një OJQ me seli në Neë York, e cila në bashkëpunim me Qeverinë zvicerane ka organizuar konferencën për të diskutuar për çështjet ndëretnike në Kosovë.
Konferenca është mbajtur në dhjetor, ku ka pasur më shumë se 50 pjesëmarrës, ndërsa sipas rregullave, lejohet të tregohet çka është thënë, por jo nga kush është thënë.