Ivanovic për Veriun, plan trepalësh

Serbët e Veriut nuk e kanë ndërmend të pranojnë asgjë që vjen nga Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare nëse nuk pyeten ata dhe Beogradi.
Të paktën kështu thotë Sekretari Shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic derisa komenton paralajmërimet e autoriteteve kosovare për një plan të ri për Veriun.
Ai thotë se për këtë pjesë duhet të bisedohet në Bruksel mes Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Plani për Veriun, me të cilin po mundohet dikush të zgjidhë atë problem duhet të jetë i përbashkët. Plane individuale si të Prishtinës, ashtu edhe ndërkombëtare nuk i ndihmojnë zgjidhjes së situatës në Veri”, ka thënë Ivanovic, në një bisedë për Express.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se do ta publikoj një plan, me të cilin synon shtrirjen e autoritetit shtetëror në Veri, përmes formimit të komunës së re, gjetjes së njerëzve që do ta pranonin autoritetin e Prishtinës si dhe investimet në atë pjesë.
Por, Oliver Ivanovic thotë se serbët e Veriut nuk do t`u binden urdhrave të Prishtinës për aq kohë që nuk ka zgjidhje politike.
“Qartë dhe thjesht: Plani duhet të hartohet jo vetëm nga njëra palë, por nga të gjitha palët, duke përfshirë Qeverinë e Serbisë, Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Qeverinë e Prishtinës”, ka shtuar ai.
Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se plani i ri për Veriun do të jetë krejtësisht i bazuar në Pakon e Ahtisaarit, në bazë të së cilës funksion edhe shteti.
Fakti se Pakoja mbështet pavarësinë e Kosovës, sipas Ivanovicit është edhe arsye se serbët nuk e pranojnë.
“Së pari Pakoja e Ahtisaarit nuk është plan relevant dhe nuk është as baza e zgjidhjes së problemit të Veriut, sepse është refuzuar nga komuniteti serb dhe nga Serbia. Plani i Ahtisaarit e ka një të keqe, sepse e parasheh pavarësinë e Kosovës, e pastaj realizimin e të drejtave njerëzore bazike. Neve nuk po na duhet pavarësia që me i pas të drejtat e barabarta”, ka shtuar ai.
Sipas këtij zyrtari serb, ka ardhur koha që Veriu i Kosovës të bëhet pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd dhe të gjendet një zgjidhje në bisedime, e jo me barrikada nëpër rrugë.
Ka thënë se gurët, betoni dhe rëra nëpër rrugë do të hiqet atëherë kur të largohet rreziku nga “përdorimi i dhunës nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës”.
“Është koha që barrikadat të bëhen çështje politike. Jam në favor të asaj që çështjet të sillen në mënyrë politike, e jo me dhunë. Duhet të ulemi e të bisedojmë. I kemi nisur bisedimet në Bruksel, edhe po shpresohet të vazhdohet dhe të hapet edhe çështja e Veriut, pa kurrfarë kufizimesh”, ka thënë Ivanovic.
Bisedimet Kosovë – Serbi janë përkrahur edhe nga vendet e Grupit Ndërkombëtarë Drejtues (GND) që e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të ndihmojë serbët në Veri.
“Në Veri, kjo nënkupton decentralizimin shumë substancial që ofrohet nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin. Qeveria duhet të demonstrojë se ajo i kupton dhe i respekton të drejtat e tyre, brengat e tyre (sidomos ato që lidhen me sigurinë), gjuhën e tyre dhe identitetin e tyre”, thuhet në përfundimet e GDN’së.
Megjithëkëtë, Oliver Ivanovic thotë se rekomandimet e GDN’së janë të parëndësishme për serbët dhe Serbinë, duke mos e pranuar asnjë nismë të Prishtinës në drejtim të Veriut.
“Çdo plan që po vjen prej Qeverisë së Kosovës, po krijon atmosferë dyshimi midis serbëve. Ne e kemi një periudhë prapa nesh, periudhë mjaft e gjatë, ku nuk i kemi besuar njëri – tjetrit. Edhe ajo nuk përmirësohet aq lehtë. Duke marrë parasysh çdo veprim, edhe me idetë më të mira nuk pranohet në Veri”, ka deklaruar ai.
Ai e ka përshëndetur veprimin e Zëvendëskryeministrit Slobodan Petrovic, i cili nuk e ka nënshkruar deklaratën e hartuar nga Kryeministri Thaçi për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Sipas Ivanovicit, edhe serbët në Qeveri e kanë kuptuar se duhet të punojnë për të mirën e komunitetit, e jo veç personale.
Duke i komentuar paralajmërimet e disa udhëheqësve të strukturave paralele në Veri për referendum, Ivanovic ka thënë se ky veprim i serbëve është i dëmshëm.
“Pozita e Qeverisë serbe është që referendumi nuk u duhet serbëve në Kosovë. Ai referendum sjell vetëm probleme dhe tensione në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ai.