E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk na ftuan

Lëvizja Vetëvendosje mohoi të ketë marrë ftesë nga Kryeministri Thaçi për takimin me partitë parlamentare që u mbajt të premten. Deputeti Visar Ymeri tha se për takimin kanë marrë vesh vetëm në media. Deputeti tjetër i këtij subjekti, Florin Krasniqi ndërkaq drejtoi akuza ndaj SHIK-ut.

Lëvizja Vetëvendosje ka demantuar deklaratat e Kryeministrit Hashim Thaçi, ku thuhet se edhe Lëvizja Vetëvendosje është ftuar në takimin e mbajtur me krerët e partive parlamentare, ku është biseduar rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Përfaqësues të kësaj lëvizjeje, po ashtu u kanë bërë thirrje anëtarëve të partive të koalicionit qeverisës, të gjithë intelektualëve të Kosovës dhe aktorëve të tjerë, që të mos pranojnë të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën në rrafshin politik dhe në atë ekonomik. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri, të shtunën duke folur për takimin e së premtes të Kryeministrit Thaçi me zyrtarë të partive parlamentare, ka thënë se lajmin për takimin e kanë marrë nga mediat dhe se deklarimet se kanë qenë të ftuar, i ka quajtur gënjeshtra.

“Ne nuk na kanë ftuar dje, në këtë takim, i cili është mbajtur në restorant “Liburinia”. Edhe Mimoza Kusari, edhe Hashim Thaçi kanë gënjyer kur kanë që thënë se Lëvizja Vetëvendosje është informuar. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Enver Hoxhaj mbrëmë në debat, kur ka thënë se Vetëvendosja ka qenë e ftuar. Asnjë ftesë për Lëvizjen Vetëvendosje për këtë takim nuk ka ardhur dhe ne duke e parë se çfarë qëllimi ka pasur takimi dhe duke e parë mënyrën se si është organizuar, e kemi kuptuar shumë mirë, edhe pse nuk na kanë ftuar. Pra, mosftesa e jonë ka qenë e qëllimshme, por prapë po e them, më mirë që nuk na kanë ftuar në këtë takim. Për t’i diskutuar këto që janë diskutuar nuk ishim shkuar në atë takim”, ka thënë ai.

Ymeri gjithashtu ka adresuar kritika ndaj Qeverisë dhe kreut të saj, duke thënë se po përgatiten për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, si në nivelin politik, ashtu edhe në nivelin ekonomik. “Aty u kërkua nga partitë dhe subjektet politike që të nënshkruhet një deklaratë, që do të ishte një mesazh gjoja konsensual nga politika kosovare se ka mbetur edhe pak kohë për të përfunduar mbikëqyrja për pavarësinë dhe se partitë mbështesin përmbushjen e obligimeve nga Pakoja e Ahtisarit. Në fakt, Qeveria e Kosovës po përgatitet për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, si në nivelin politik, ashtu edhe në nivelin ekonomik”, ka thënë ai.

Sipas Ymerit, Qeveria aktuale ka dështuar në kryerjen e detyrave të saj që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye po mundohet të përfshijë të gjitha partitë politike për të arritur konsensuse të ndryshme dhe për ta bartur përgjegjësinë diku tjetër.

“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, të gjithë deputetëve dhe anëtarëve të partive pjesë të koalicionit, të gjithë intelektualëve të Kosovës dhe aktorëve të tjerë, që të mos pranojnë të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën në rrafshin politik dhe në atë ekonomik”, ka thënë ai.

Krasniqi: Kadri Veseli synon Kryeministrinë

Akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë, ku në thumb kësaj radhe pos deputetit Bekim Haxhiu, ka qenë edhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.

Në një konferencë për media të mbajtur nga Vetëvendosja, ku është përkrahur protesta e shoqërisë civile në Prizren, që do të mbahet sot, janë dëgjuar edhe akuza për SHIK-un. Duke i komentuar deklaratat e fundit të njërit prej ish-anëtarëve të SHIK-ut, Bekim Haxhiu - Kamishi, Krasniqi i Vetëvendosjes ka akuzuar Kadri Veselin se po synon të vijë në pushtet në pozitën e kryeministrit të Kosovës.

"Është në natyrën e shërbimeve sekrete gjithandej në botë që udhëheqësit e tyre t’i dërgojnë në krye të shtetit. Kadri Veseli po synon të bëhet kryeministër përmes SHIK-ut", ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›