ERE, nuk kemi gabuar me aforfetë
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, tha për median...
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, tha për median, se ERE është i vetmi autoritet që ka të drejtën ekskluzive për të vendosur shtyrjen e afatit të faturimit aforfe për energjinë elektrike. Sipas tij, kjo e drejtë ligjore e ERE-së mbështetet në ligjin nr. 9072, datë 22.03.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”. “Bordi i Komisionerëve të ERE-së pasi mori në shqyrtim kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të bërë në datën 15 janar 2008, për zgjatjen e kohës së faturimit aforfe për abonentët familjarë pa matës, vendosi që kohëzgjatja e faturimit aforfe për abonentët familjarë pa matës të jetë deri në datën 31.12.2008 dhe sasia e energjisë elektrike të mbetet e pandryshuar”, tha Nepravishta. Zgjatja e këtij afati shpreh vijimin në mënyrë të pandërprerë të detyrimit për pagesën e faturimit aforfe të energjisë elektrike, në të gjithë muajt e vitit 2008. “Çdo kundërshtim ndaj këtij vendimi mund të paraqitet vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë”, vuri në dukje Nepravishta. Në përfundim, kryetari i ERE-së, Bujar Nepravishta, vlerësoi se “çdo thirrje drejtuar opinionit publik për të mos e paguar detyrimin e ligjshëm, që është rrjedhojë e faturimit aforfe, është e kundërligjshme dhe nuk i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të vendit. E vetmja rrugë e ligjshme është t’i drejtohesh gjykatës, sepse vetëm ajo e ka autoritetin që të marrë vendim për vendimet që merr Bordi i Komisionerëve të ERE-së.