Izolohet Xhelil Gjoni i PS, s’arrin të bëjë zap klanet brenda deputetëve

Dje ka nisur lufta civile mes dy klaneve të Edvin Ramës, por linja pensioniste e Arta Dades s’ka triumfuar dot mbi ambiciet e Ditmir Bushatit e Taulant Ballës. Si linjë e mesme, është përzgjedhur sërish “fytyra e vrerosur” e partisë, Gramoz Ruçi, për të luajtur farsën e mbështetjes parimore të rezolutës për lëvizjen e lirë të shqiptarëve
Partia Socialiste vazhdon të demonstrojë marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin, teksa dje me vendim të grupit parlamentar, vendosi të marrë pjesë sot në Kuvend, por vetëm në një pjesë të punimeve të tij dhe për të rinisur më pas veprimin e zakonshëm amoral, atë të daljes nga seanca plenare. Gjatë ditës së djeshme, kur Xhelil Gjoni i Partisë Socialiste ndodhet si eremit në Strasburg, deputetët socialiste vendosën që të marrin pjesë në seancën e sotme plenare, gjatë momenteve kur do të diskutohet e votohet rezoluta e hartuar nga mazhoranca për liberalizimin e vizave. Vendimi ka ardhur pas presionit të deputetëve të LMN-së, por edhe nga shtimi i presionit të opinionit publik ndaj kursit antiperëndimor të Edvinit. Pritet që në seancë të flasë falsifikatori i kartave të identitetit, Gramoz Ruçi, për të shigjetuar në mënyrë të qëllimshme ndonjë element tjetër të procesit të integrimit në BE. Edvin Kristaq Rama edhe pse nuk dha kurrfarë mbështetje opsionale në diskutimin e rezolutës në komisionin e Jashtëm të Kuvendit, lejon deputetët e tij, të kontrolluar fund e krye nga diktati më i egër që është shënuar ndonjë në PS, që nga shpallja e pluralizmit, të jenë të pranishëm pjesërisht në punimet e seancës plenare. Raportimi nga mbledhja e djeshme e grupit parlamentar ka kthyer vëmendjen edhe tek një betejë e fortë që po mbahet mes dy korrenteve edviniste në PS. Kështu Ditmir Bushati dhe Arta Dade janë ndeshur fort mes tyre se cili do të ishte interlokutori, gjatë diskutimeve në seancë plenare, ndërkohë që është rrëzuar edhe protagonizmi i mundshëm i Taulant Ballës. Në kushtet kur ka qenë e pamundur zbatimi i rregullores së re të Grupit Parlamentar, e cila paracakton edhe emrat e njerëzve, që do të marrin fjalën gjatë debatit parlamentar, i vetmi kompromis ka mbetur caktimi i Gramoz Ruçit si zhurmëmadhi i radhës. Asnjë lloj qeverimi s’po funksionon në radhët e deputetëve socialistë, por ngjan se gjithçka përputhet me strategjinë e Edi Ramës për të nulifikuar rëndësinë e përfaqësuesve parlamentarë, si e vetmja mundësi për ta kontrolluar të majtën vetëm nga jashtë, nga bashkia e Tiranës dhe nga klani i lejeve të ndërtimit. Rezoluta është diskutuar të martën në Komisionin e Integrimit pa praninë e deputetëve opozitare, ndërkohë që PD me ane te deputetit Aldo Bumçi i bëri thirrje deputetëve opozitarë që të futeshin në kuvend dhe të votonin ‘pro’ kësaj rezolute që nuk është një çështje politike, por jetike për shqiptaret. Paralelisht me prapaktheu e deputetëve socialistë ka ardhur edhe prapaktheu e Edvinit, i cili dje në Strasburg ka folur për herë të parë në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave dhe ka marrë në këmbim vetëm mbështetjen formale të eurodeputetëve të majtë, se ata mbështesin “ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar”, një prerogativë tashmë e garantuar edhe nga mazhoranca e djathtë
...