Cana pezullohet 2 javë: Ekipi fiton edhe pa mua
TIRANE-Lorik Cana kërkon nga skuadra që t'ia dalë mbanë edhe pa të në dy javët e ardhshme, kundër Mançester Sitit dhe Birmingamit. Kapiteni shqiptar i Sandërlendit u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e së martës kundër Boltonit dhe është pezulluar për dy javë për këtë. Megjithëse skuadra e Stiv Brus fitoi 4-0, teknikut i duhet të bëjë pa liderin e mesfushës. Triumfi ndaj Boltonit duket se ka qenë një çlirim për Sandërlendin pas 14 javëve pa fitore. "Kishim shumë kohë që nuk fitonim. Kur ke 14 ndeshje që nuk e bën këtë, krijohet mjaft presion dhe dalëngadalë sheh pranë zonën e rënies", u shpreh Lorin Cana dje. Për Sandërlendin do të rikthehen pas dëmtimeve të gjata Xhordan Henderson dhe Andi Reid, dy lojtarë më shumë nën urdhrat e Brus. "Kush e di, mbase ata mund të jenë gati këtë fundjavë, - deklaroi kapiteni. - Unë do të jem i pezulluar për dy javë dhe këta lojtarë do të na bëjnë shumë punë". Cana e quajti të padrejtë kartonin e marrë kundër Boltonit. "Nuk mendoj se e meritoja atë karton, pasi ishte faulli im i parë gjatë ndeshjes, - tha mesfushori shqiptar. - Tani megjithatë nuk kam çfarë të bëj më, por jam shumë i zhgënjyer që nuk do të jem në fushë në ndeshjet me Sitin dhe Birmingamin. Gjithsesi, kjo është pjesë e futbollit. Tani do të bëj gjithçka që të mbështes shokët e mi që nga jashtë. Mendoj se ekipi ka cilësi të mjaftueshme për të bërë mirë edhe pa mua", shtoi futbollisti kuqezi.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)