Meta: Heqja e vizave për shqiptarët, çështje kohe

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Pranverës italiane: “Italia dhe Shqipëria- Dy popuj, një det, një miqësi”, vlerësoi mbështetjen e qeverisë italiane, në proceset e integrimit të Shqipërisë. Meta tha se Italia luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta falënderoi qeverinë italiane për ndërmarrjen e kësaj iniciative që përmes spektrit të gjerë të konferencave e debateve me karakter ekonomik, integrues dhe zhvillimor, do të dëshmojë partneritetin parësor strategjik, politik e ekonomik me Italinë fqinje e mike. Në këtë kuadër, ai përshëndeti veprimtaritë që do të ndërmerren me rastin e 20 vjetorit të Kooperacionit për Zhvillim, themelimin e Forumit të Dialogut ndërmjet Shoqërive Civile Shqiptaro-Italiane, por edhe diskutimet mbi projekte të përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës në Shqipëri. Duke e cilësuar si një stinë të madhe të miqësisë, Zëvendëskryeministri Meta vlerësoi se Pranvera Italiane do të ndriçojë nga një këndvështrim unik lidhjet e forta kulturore e shpirtërore mes dy popujve, që bazohen, ndër të tjera, në diasporën e hershme të arbëreshëve të Jugut të Italisë dhe në komunitetin e sotëm të shqiptarëve në Itali, të cilët po pasurojnë e konsolidojnë gjithnjë e më shumë urat tradicionale të miqësisë mes dy vendeve. Në fund, Meta vlerësoi rolin edhe kontributin e veçantë të komunitetit shqiptar në Itali në marrëdhëniet e forta mes dy vendeve duke theksuar se “20 vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Evropën e Bashkuar, me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë”. “Pranvera Italiane 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi” do të zgjasë nga muaji mars deri në qershor 2010, në qytetet kryesore të Shqipërisë. Si evenimenti më i madh me karakter promovues i realizuar ndonjëherë në marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo nismë e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, do të shërbejë për të evidentuar dhe për të nxitur më tej potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në shumë fusha e sektorë prioritarë, siç janë ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, kultura dhe shoqëria civile.
...