E Enjte, 5 Nëntor 2026

Izrael, sulm me thika e sëpata

Në Izrael, po vijon një operacion për gjetjen e dy palestinezëve që dyshohet se kanë vrarë tre izraelitë në një sulm ku u përdorën thika. 

Incidenti ndodhi në qytezën Elad e cila banohet më së shumti nga hebrenj ultra ortodoksë. Shtatë persona të tjerë u plagosën, dy nga të cilët morën plagë të rënda. 

Policia izraelite thotë se palestinezët që ndërmorrën sulmin në Elad vinin nga distrikti i Jenin në veri të Bregut perëndimor. 

Agresorët sulmuan në një park, ku shumë familje ishin mbledhur të festonin ditën e pavarësisë si dhe në një rrugë kryesore. 

Agresorët ia dolën të largoheshin nga skena e krimit me një automjet. Policia ndërkohë ka ngritur postblloqe dhe ka angazhuar një helikopter për të gjetur të dyshuarit. 
Kryeministri izraelit Naftali Bennet tha se agresorët do të kapeshin dhe do të paguanin çmimin e krimit të tyre. 

Sulmi i së enjtes është më i fundit i ndërmarrë nga palestinezë ose arabë të izraelit që nga fundi i muajit mars. Në kundërgjigje, Izraeli ka ndërmarrë operacione në bregun e pushtuar perëndimor. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›