E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli: Hezbollahu po kanalizon fondet për shqiptarët. Ballkani, destinacioni tjetër i XhihaditNga TemaMinistri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Avigdor Lieberman, tha gjatë një takimi me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, se shtetet e Ballkan

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Izraeli: Hezbollahu po kanalizon fondet për shqiptarët. Ballkani, destinacioni tjetër i XhihaditNga TemaMinistri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Avigdor Lieberman, tha gjatë një takimi me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, se shtetet e Ballkanit janë destinacioni tjetër i Xhihadit global.
“Informacionet aktuale tregojnë qartësisht se rajoni i Ballkanit është destinacioni tjetër për Xhihadin global, që synon të ngrejë një infrastrukturë dhe të rekrutojë aktivistë”, - tha Lieberman gjatë takimit.
“Kjo mund të shihet nga përpjekjet e disa organizatave myslimane dhe saudite - të cilat kanë transferuar fondet e tyre në Afrikë dhe në Amerikën e Jugut- në përpjekje për t’i sjellë ato në rajonet e banuara nga boshnjakë dhe shqiptarë”, - shtoi ai.
Lieberman tha se grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka penetruar në Amerikën e Jugut dhe al-Qaida është e mirëvendosur në Afrikë.
Ai i bëri thirrje kryeministrit maqedonas që të mos lejohet që këta militantë të hedhin rrënjë në Ballkan.
Pas kësaj deklarate ka ardhur dhe reagimi i parë, nga ministri i Jashtëm boshnjak, Sven Alkalaj, që i ka telefonuar homologut të tij, Avigdor Lieberman, për të protestuar ndaj kësaj deklarate.
Ministri boshnjak i bëri me dije homologut izraelit se deklarata të tilla janë të pabaza dhe dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të vendit. Ai shtoi se Bosnja është e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe se shërbimet e inteligjencës së këtij vendi nuk kanë informacion ose të dhëna për terroristë në vendin e tyre.
Ndërkohë, nga pala shqiptare nuk ka pasur asnjë reagim për këtë çështje.

***

Prej ditësh, lajmi kryesor në agjencitë më të mëdha në botë është Jemeni. Një “shtet i dështuar”, i lënë pothuajse në harresë nga Perëndimi, rrezikon të jetë foleja e re e terrorizmit. Pas një atentati të dështuar për shpërthimin e një avioni, sytë e Shteteve të Bashkuara janë kthyer nga ky vend, që nga shumë analistë cilësohet si një shtet i dështuar.
Siç pohon ministri izraelit, Hezbollahu po kanalizon pará për celula të terrorizmit, të përbërë nga elementë shqiptarë. Por, a është e vështirë që Hezbollah të depërtojë në vendin tonë?
Megjithëse nuk jemi një “shtet i dështuar”, ashtu si Jemeni, në vendin tonë për pará mund të bëhet gjithçka.
Para disa kohësh gazeta “TemA” solli prova të forta se si më paratë e Iranit, Shqipëria kishte blerë armë të rrezikshme kundërajrore nga Ukraina për llogari të terroristëve të Hezbollahut. Kështu, vendi ynë kishte shërbyer si një kanal për terroristët.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ishte personi kyç në këtë aferë, duke përdorur autoritetin e shtetit gati të dështuar shqiptar.
Pak pas botimit të lajmit mediet në Ukrainë, Izrael, Rusi, Sllovaki, por dhe në botën arabe trajtuan problemin e raketave që përmes Shqipërisë kanë mbërritur në duart e terroristëve të Hezbollahut. Lajmi trazoi dhe selitë diplomatike dhe përfaqësitë ushtarake të vendeve perëndimore. Megjithatë, të pyetur nga mediet arabe, zyrtarisht shteti shqiptar, por dhe të tjera shtete nga ka kaluar ky trafik, kanë mohuar të kenë dijeni. Ngjarja e rëndë e trafikut të raketave duke përdorur Shqipërinë erdhi në një moment delikat. Një muaj më parë presidenti amerikan, Barack Obama, priti homologun libanez, Michel Suleiman. Takimi mes tyre pati në qendër të vëmendjes dhe trafikun e armëve që bëhet në drejtim të organizatës terroriste Hezbollah. Agjencitë e huaja citojnë presidentin Obama të ketë thënë se Libani duhet të ndërmarrë çdo masë ndaj trafikut të armëve që kërcënon Izraelin. Burimet saktësojnë madje se Obama ka deklaruar se do ketë sanksione, nëse do të vijojë ky trafik armësh.

***

Gazeta “TemA” vijon të besojë se këto afera bëhen në kurriz dhe në emër të popullit shqiptar, por ky i fundit nuk ka asnjë ndjeshmëri për çështjen e terrorizimit. Por, nëse ministri izraelit pohon se situata është kaq e rëndë dhe ekziston mundësia e celulave terroriste, atëherë na ngelet të besojmë atë çfarë thotë zyrtari i një vendi me një nga inteligjencat më të forta në botë.

***

Por si u trafikuan armët e rrezikshme në emër të Shqipërisë për terroristët.
Në emër të modernizimit të ushtrisë shqiptare dhe rritjes së aftësisë mbrojtëse të atdheut, nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e të tjerë zyrtarë, u kërkua blerja e raketave të supit, tokë-ajër, të tipit Igla 1 (SA-16-GIMLET) dhe Igla (SA-18-GROUZE). Këto raketa janë patentë sovjetike e fundit të viteve ’80, kopjuar edhe nga vende të tjera. Igla, me aftësi të përafërta me raketat amerikane Stinger, është shumë efektive në goditjen e avionëve, helikopterëve dhe avionëve pa pilotë, që fluturojnë deri në 5 mijë metra lartësi.
Historia e blerjes së këtyre raketave fillon me një varg përpjekjesh të ethshme në pranverën e vitit 2006 e në vazhdim për gjetjen e burimeve potenciale të eksportuesve të këtyre raketave. Ndër burimet e kontaktuara zyrtarisht nga nëpunës të shtetit shqiptar janë edhe shtete të tilla që bartin potencial terrorizmi si Irani dhe Koreja e Veriut.
Më 19.4.2006, kërkohet të blihen nga zoti Rrahmani, menaxher i marketimit të produkteve të firmës shtetërore iraniane MODELEX, raketa SAM iraniane tip MISAGH - 2. Këto raketa gjithsesi janë inferiore krahasuar me Igla-18, pra jo shumë të preferuara nga Hezbollahu libanez.
Në datë 8.6.2006, kontaktohet firma ukrainase UKRSPETS EXPORT, e përfaqësuar nga zoti Majevski. Kjo firmë i kanalizoi bisedimet te firma bijë e saj, SE SFTF PROGRES. Kjo firmë në fund të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007 i shiti shtetit shqiptar 150 raketa Igla dhe 150 raketa Igla-1 bashkë me lëshuesit e tyre. Shitja u bë me kusht që, në rast eksporti jashtë Shqipërisë të këtyre raketave, të informohej paraprakisht Enti Shtetëror Ukrainas për Eksportin e Armatimeve.
Pak kohë pasi u blenë raketat SA-16 dhe SA-18, me ngut u bë nxjerrja e tyre jashtë përdorimit nga armatimi i ushtrisë shqiptare. Kjo praktikë përmban shkresa me firmën e kryeministrit Berisha, ish-ministrit Mediu, dhe gjeneral-lejtnant Hoxhës. Pas kësaj procedure, raketat ishin të gatshme për eksport nga ndërmarrja MEICO.
Eksporti i raketave mbetet një operacion shumë, shumë i mjegullt. Shitja u bë te një firmë libaneze e llojit Off Shore, e quajtur IFC (International Contract & Enterprise) me adresë: Tabaris Building, Charles Malek Avenue, Bejrut, me tel. 0096113381888, me përfaqësues firme zoti MARWAN K. HADDAD.
Sipas informacioneve të bëra publike nga agjencia inteligjente izraelite SAYRET MATHAL, firma libaneze shërben si mbulesë për MOUNTAMAT AL-JIHAD AL-ISLAM, që është degë e organizatës Hezbollah. Kjo firmë, sipas izraelitëve, u ka shërbyer trafikantëve të Hezbollahut për të kontrabanduar armë nga vendet ish-socialiste, përfshirë Shqipërinë.

***

Inteligjenca izraelite duket se ka vëzhguar mirë Shqipërinë dhe rrezikun që mund të përbëjë ajo. Autoritetet izraelite mund të jenë detyruar të bëjnë blerje të sforcuar të disa “katjushkave” nga Shqipëria, për shkak se trafikimi i tyre kishte dalë jashtë kontrollit dhe po iu shitej shteteve armike të Izraelit. Izraelitët u detyruan të paguanin më shtrenjtë për blerjen e tyre, me qëllim që të ndërhynin në kohë për të parandaluar shitjen e tyre në grupime apo njerëz që mund t’i përdornin ato kundër Izraelit. Historia e rëndë e këtij trafiku lidhet me të njëjtat personazhe që qëndrojnë pas tragjedisë së Gërdecit.
Disa agjenci të inteligjencës kanë raportuar se ngarkesat me bazë Shqipërinë në pjesën dërrmuese të tyre porositeshin nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa destinacionet kanë qenë kryesisht për në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Në gjithë këto histori nuk ka rast ku nuk del emri i shtetasit boshnjak, Damir Fazlliç, si dhe lidhjet e tij me aktorët kryesorë këtij trafiku.
Gazeta “TemA” ka mundur të konsultojë disa personazhe kompetentë shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë pasur dijeni lidhur me lëvizjet dhe paralajmërimet e njësive të inteligjencës të disa shteteve lidhur me eksportimin e municioneve nga Shqipëria me bazë Gërdecin. “TemA” ka mundur të mësojë se Ministria shqiptare e Mbrojtjes për rreth tetë muaj para shpërthimit ka rritur në mënyrë të paprecedent fluksin e ngarkesave, ndërsa rezulton se ky fluks ka dalë jashtë kontrollit duke çuar armë në “duar të pasigurta”. Më konkretisht, bëhet fjalë për alarmin që përfshiu shërbimet e inteligjencës së shtetit të Izraelit, ndërsa burime të besueshme dhe pranë këtyre zhvillimeve bëjnë me dije se izraelitët ndërmorën një operacion monitorimi dhe vëzhgimi për ngarkesat e transituara nga “Gërdeci” dhe të eksportuara nga Rinasi, operacioni i monitorim-kontrollit u quajt: “HAYEDID”.
Emërtimi “HAYEDID” nuk ka qenë dhe aq i rastësishëm. Në hebraisht kjo fjalë nënkupton një mik shumë të ngushtë (thuajse një familjar) të izraelitëve, por që nuk ka origjinë ose kombësi hebraike. Por edhe miqtë e ngushtë bëjnë gabimet e tyre! “TemA” ka mësuar se për disa muaj me radhë shërbimet e inteligjencës së Izraelit kanë kuptuar se shitjet e municioneve me bazë Gërdecin po çonin armë në grupe apo qarqe influence që cenonin integritetin territorial të këtij shteti, i cili prej dekadash vuan dhe përballon armiqësinë e betuar të fqinjëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›