E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adem Rekën s’e sjell dot Berluskoni Nga Brizida GjikondiSërish 9 janar për Shkodër locen. 9 janar 2004, 28 të rinj shkodranë humbin jetën në ujërat e Jonit duke u përpëlitur për një jetë më të mirë, ishte tragjedi kombëtare, shteti ishte inekzistent.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Adem Rekën s’e sjell dot Berluskoni Nga Brizida GjikondiSërish 9 janar për Shkodër locen. 9 janar 2004, 28 të rinj shkodranë humbin jetën në ujërat e Jonit duke u përpëlitur për një jetë më të mirë, ishte tragjedi kombëtare, shteti ishte inekzistent. 9 janar 2009, Shkodra loce prapë në lot, “ash mytun e tana”, s’ka shqiptar që s’mban frymën para ekraneve, tragjeditë gremisen bashkë me ne në mënyrë progresive. Tragjedi të ngjizura po nga ne… shqiptarët e shekullit të ri..?!! Pavarësisht njohjeve profane në fushën e digave, HEC-eve, portave, baseneve dhe çdo strukture tjetër ndihmuese.. perceptohet në ajër që shteti inekzistent është dërguesi dhe zbatuesi i kësaj tragjedie. Mendjelehtësia, euforia dhe degradimi total i shtetit de facto dhe de jure për fat të keq ra në Shkodër, në djepin e kulturës ballkanike, në portën e bekuar të perëndisë së orientuar drejt Vatikanit, në muret e Rozafës dhe prehjen e Migjenit. Shkodra është simbol i mbarë shqiptarisë, ndaj përmbytja e saj na dhemb të gjithëve.
Shumë syresh, politikanë majtas e djathtas, mëkatarë deri në palcë kundrejt këtij populli, mjeranë, shprehen.. që “të tejkalojmë tragjedinë më pas merremi me shkaqet dhe përgjegjësit…” Gur, gur bëhet mur, kështu u tha për ‘97’-ën, kështu u tha për grushtin e shtetit më 13 shtator, kështu u tha për tragjedinë e 9 janarit, për Gërdecin… tani dhe për Shkodrën. Shkurt kësaj i thonë vetëvrasje kolektive.. Prej 20 vjetësh në Shqipëri nuk sundon shteti, por katrahura, prej 20 vjetësh barbarizmi vetëvrasës ka gërryer dhe shkallmuar çdo hallkë, vlerë, objekt kombëtar dhe strategjik, kryevepër dhe vepër modeste të bërë me gjak e shpirt nga paraardhësit tanë. Të gjitha veprat, hidrike, industriale, ekonomike, minerare, arkeologjike, të ngritura me përkushtimin idealist të mbarë shqiptarëve, u degjeneruan, shitën, shqyen, nuk u mirëmbajtën, pavarësisht se “u molën” barbarisht si lopë pa zot. Dhe ja sot, në janar të 2010-ës…gjithë shqiptarëve barbarë ose jo iu jepet një mësim i madh historik, mësimi se vetëvrasja e vlerave bazike të shtetit tënd, pavarësisht sistemeve, e lë përherë litarin jashtë. Është një thënie e moçme që “mbasi lahet foshnja, kujdes mos hidhni dhe atë bashkë me ujin e palarë”. Për fat të keq kjo ndodhi me Shqipërinë, mbas ‘90-ës përpos histerizmit diktatorial dhe luftës klasore vëllavrasëse ne shqiptarët hodhëm në kosh të plehrave dhe gjërat më të çmuara jo-politike që me mund, gjak, sakrificë kishin ngritur me mijëra idealistë të heshtur nëpër kantiere uzinash, hidrocentralesh, kanalesh kullimi, rrugë, elektrifikim, bonifikim, hekurudha etj., etj… ajo e para ‘90-ës ish dhe Shqipëria jonë. Shqipëria tashmë i ngjan një shteti të shqyer, pa vepra kullimi, pa kanalizime, hidrovore e gjithçka është thelbësore për mbarëvajtjen e infrastrukturës së padukshme të shtetit. Prej 20 vjetësh askush s’ka vënë dorë askund, në mirëmbajtjen e asnjë vepre, përkundrazi, konkursi i grabitjes kombëtare dhe vëllavrasëse ka 20 vjet që ka nisur, por ia që plasi dhe ajo. Askund si në Shqipëri nuk ka pasur një përdhosje të vlerave dhe veprave bazike të një shteti, askund si në Shqipëri nuk ka një paaftësi dhe kaos administrativ korruptiv-mafioz, askund si këtu te ne i paafti është shef-bos dhe i mençuri i papunë varfanjak, askund veç në Shqipëri s’ka Prokuror të Përgjithshëm, president, gjyqtarë, ka veç mëshirë perëndie dhe vepra e vlera të plakura nga koha. Shqipërisë 98 vjet s’i mjaftuan për të bërë shtet dhe vetëdije shtetare, etja për të grabitur pronën e vëllait, injoranca, mendësia se, po të mos grabitësh dhe të mos jesh i pasur, është turp, është fatkeqësisht filozofia mbisunduese ndër shqiptarët e shekullit të ri.
Ndërsa shkruaj, dëgjoj broçkullat mediatike të emetuara nga inferiorët shtetarë se paska ardhur komisari i Digave të Berluskonit që të shpëtojë Shqipërinë. Eh ç’dynja! Më shtrëngon kraharori, s’jam miope, as në vegjëli askush s’i bëri lavazh memories dhe perceptimit tim…por dihet që Shqipërinë e kanë bërë dhe do e bëjnë veç shqiptarët, sidomos idealistët, që janë të përkushtuarit e parë, por dhe martirët gjithashtu. Adem Rekën s’e sjell dot Berluskoni, ligjet dhe rregulloret s’do na i zbatojë NATO, administratën e paaftë, parazitare dhe militante s’do na e rehabilitojë BE, Shqipërinë nga vetë-përmbytja s’e shpëton dot askush veç vetvetes. Më kanë mbetur në sy pamjet e një vajze të dëlirë si luleborë që qante mbyturazi kur ndahej nga nëna në Dajç të Shkodrës. Më dhembi dhe lopa shtatzënë e zhytur në ujë, dhe mullarët e barit, dhe shtëpitë e kredhura në ujërat e turbullta të shtetit tim dështak. Legjenda e Rozafës po më ngjason si profeci, vetësakrifikimi dhe murosja e saj s’mjaftoi për ngritjen e shtetit të Arbrit, gjiri dhe qumështi i saj, që rrjedhin ndër muret e kalasë, tashmë janë përzierë me ujërat e Bunës, liqenit, Drinit e çdo burimi hidrik që kjo tokë ka pasur përherë me bollëk, por paradoksalisht prej 20 vjetësh s’di ku i kish. Tani e di, dhimbshëm e di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›