Edhe njëherë për meritokracinëNga Aleksandër Meksi* Kush nuk ka bërë punë të vogla në shtet, nuk mund të bëj punë të mëdha (Konfuci) Kur t’i jepet detyra atij që nuk është i aftë, prit Kiametin (nga një Hadith i Profetit Muhamet) I rikthehem
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Edhe njëherë për meritokracinëNga Aleksandër Meksi* Kush nuk ka bërë punë të vogla në shtet, nuk mund të bëj punë të mëdha (Konfuci)
Kur t’i jepet detyra atij që nuk është i aftë, prit Kiametin (nga një Hadith i Profetit Muhamet)
I rikthehem temës së meritokracisë, sepse është më se aktuale në kuadrin e kërkesave dhe platformave apo premtimeve për ndryshime, aq më tepër kur në një vit e gjysmë kjo nuk u mor parasysh ose u shit sapuni për djathë. Prandaj po merrem së pari me shpjegimin e fjalës, çka mbështet opinionin tim të mësipërm. Sipas fjalorëve më të rëndësishëm e të hollësishëm, me meritokraci kuptojmë një sistem, në të cilin njerëzit e aftë dhe të talentuar zgjidhen dhe bëjnë karrierë në bazë të rezultateve të tyre. Pra kuptojmë lidershipin (drejtuesit apo udhëheqësit) të përzgjedhur në bazë të rezultateve të punës, nënvizojmë të punës dhe jo të shkollimit universitar apo dhe pasuniversitar, rezultat i cili vlen për emërimin e parë, ndërsa më tej vlen puna dhe aftësimi i mëtejshëm.
Pra, meritokracia është një mënyrë drejtimi e mbështetur në aftësitë (meritat) dhe talentin të demonstruara në punë dhe jo në pasurinë (si në feudalizëm), lidhjet familjare (nepotizmi) e krahinore, privilegjet klasore, miqësitë ose lidhje të tjera me rrënjë historike, të pozitës sociale apo politike (përkatësia në të njëjtën parti). Mbështetësit e meritokracisë mendojnë se një sistem i bazuar në të është më produktiv se të tjerët dhe se mënjanon dallimet raciale, gjinore, fisnore krahinore e të pasurisë apo lidhje të tjera në karrierën e një individi. Tërthorazi në favor të kësaj teze është dhe përvoja shqiptare e derisotme, që ka vërtetuar më së miri dështimin e antimeritokracisë apo qoftë dhe pseudomeritokracisë.
Ata që e kanë jetuar dhe mbajtur në kurriz periudhën e turpshme të revolucionit kulturor dhe ideologjik, sipas modelit të Revolucionit Kulturor kinez (vitet ‘60-‘70), mbajnë mend mirë se si komunistët “qarkullonin” të aftët dhe i zëvendësonin me kuadro me shkollë partie (atëkohë nuk kishte mastera) që i gjenin nga rruga, si drejtues me biografi të mirë dhe i ngrinin deri në rangjet më larta të shtetit e partisë. Është periudha kur përdorej principi i shokut Zylo: në tribunë duhej një traktorist, një mjelëse, një tornitor, një intelektual me kurs partie, një bujk nga zona fushore e një tjetër nga zona malore e të tjera. Ne qeshnim ahere, tashti duhet të qajmë.
Vetëkuptohet se në demokraci postet politike (që janë të pakta në numër) sigurohen me emërim politik apo nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, por të tjerat duhet të meritohen vetëm sipas arsimimit, aftësive profesionale, menaxheriale, përvoja dhe rezultatet në punë etj. Të parët hartojnë dhe vendosin për politikat, të dytët i zbatojnë ato, prandaj duhet të jenë të aftë.
Përmendëm më lart se në një shtet demokratik vendet e punës sigurohen për nga aftësitë profesionale, d.m.th., arsimimi, përgatitjet speciale, përvoja në profesion apo dhe ajo jetësore, rezultatet në punë; apo nga shkalla e përgjegjësisë politike të postit dhe garancitë apo besimi politik që kandidati ofron. Prandaj të vendosësh njerëzit e tu, në cilindo rast nga të dy kategoritë e mësipërme, në poste të preferuara, sidomos ato me veprimtari ekonomike, do të thotë të jesh me mentalitet feudal dhe aspak demokrat, të kërkosh përfitime të jashtëligjshme, duke nxitur dhe të tjerët për të njëjtën gjë. Do të thotë të shkelësh rregullat e shtetit ligjor dhe ta dëmtosh atë indirekt apo direkt, të jesh i dëmshëm për demokracinë e Shqipërisë. Kjo është dhe arsyeja që ithtarët e këtyre metodave gjejnë strehë te bolshevizma, si diktat i shumicës ndaj pakicës dhe dhunim i saj.
Mendoj se për këdo që kërkon të jetojë në politikë është e pamjaftueshme vota e kunetërve, e baxhanakëve, vëllezërve e motrave, nipave e dhëndurëve, e kushërinjve të tyre, e miqve, shokëve e shoqeve të fëmijëve të tyre që emërojnë për të drejtuar një institucion shtetëror, sidomos kur në të mund të përfitohet në mënyrë të jashtëligjshme. Madje, mbas një politike të tillë klientelizmi e favoresh për rrethin tënd familjar, krahinor e miqësor nuk luftohet më korrupsioni dhe kjo po duket sheshit. Ato shumë-shumë mund të vlejnë për t’u zgjedhur në Këshillin komunal të njësive vendore me 300 apo 500 vota, por jo gjetkë. Çdo padrejtësi ka një fund gjithnjë të turpshëm. T’i jepet fund padrejtësisë së individëve të veçantë, që nuk janë të shumtë në numër, që të mos paguajmë të gjithë bashkë për të. Fatkeqësisht, askush nuk po ngrihet me forcë kundër kësaj shfaqjeje të turpshme për t’i demaskuar, jo vetëm në medie këto veprime (autorët, sekserët dhe përftuesit) që vërehen në vitet e fundit. Po kështu, kundër nepotizmit duhet hetim i plotë, jo vetëm për fusha të veçanta, por i gjithanshëm dhe sipas modeleve perëndimore.
Prekëm në këtë shkrim një dukuri negative në jetën tonë me impakt vendimtar në rrugën për reformimin demokratik të Shqipërisë. Me sa kam vërejtur unë, me vështirësi shumë prej nesh i pranojnë këto norma në mbështetje të meritokracisë, sepse janë të shumtë ata liderë apo etër të kombit e drejtues të lartë që nuk i respektojnë. I vetmi rast, në të cilin jemi të gjithë në një mendje, në këndvështrimin e meritokracisë, është kur kemi probleme shëndeti dhe atëherë kërkojmë mjekun më të mirë dhe mundësisht dhe përtej detit. Nëse dëshirojmë të jemi të ndershëm dhe kërkojmë përparimin e vendit, duhet që dhe kundër tundimeve të interesit personal t’i gjejmë punës njeriun dhe jo e kundërta. Me rregulla feudale të klientelizmit, krahinalizmit dhe nepotizmit krahas atyre klasore bolshevike, të cilat janë e kundërta e meritokracisë, nuk ndërtohet shteti i së drejtës, ekonomia e tregut të lirë, nuk respektohen të drejtat e individit, nuk do të sigurohet mirëqenia që kërkojmë. Po u vazhdua në këtë rrugë, do kemi pazare të fëlliqura nga njerëz të pistë. Nëse nuk ndryshojmë, nëse nuk e kërkojmë me forcë ndryshimin (jo vetëm si parullë) dhe nuk luftojmë për të, mos të ankohemi. Dhe këtu më kujtohet një thënie e ing. Ahmet Ndroqit se “injoranti me shkollë bën më shumë dëm se bomba atomike”; si dhe fjala e urtë kolonjare (asnjë fjalë nuk është e pistë në proverbat): “Kur vihet prapanica të gatuajë, dihet çfarë gjelle do të bëjë”.
* Tiranë 2.03.2007
www.aleksandermeksi.com