E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli e Turqia, hakmerren ndaj turistëve

Afro 40 turistë izraelitë, të cilët të hënën udhëtuan në Stamboll me një aeroplan të aviokompanisë turke, u ndanë nga udhëtarët e tjerë sapo hynë në Turqi. Policia turke i mori në pyetje gjatë. Ngjashëm ndodhi edhe me turistët turq në aeroportin Ben Gurion, në Tel Aviv. Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 08:12

E gjithë kjo ndodhi në kohën e thellimit të krizës diplomatike ndërmjet Jerusalemit dhe Ankarasë, pohojnë mediat izraelite.

Zyrtarët e Turqisë ndërkaq njoftuan se, me të hyrë të dielën mbrëma në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion, në Tel Aviv, turistët turq u morën në pyetje me orë të tëra, mes tjerash edhe lidhur me detajet e tyre personale, përfshirë këtu numrat e telefonave, e-mail adresat dhe statusin e tyre martesor. Ky grup i turistëve turq kishte udhëtuar në Izrael me rastin e përfundimit të muajit të shenjt mysliman të Ramazanit, me qëllim që të vizitonin Jerusalemin.

"Ata i kontrolluan bagazhet tona disa herë, e pastaj filluan të na kontrollin neve detajisht. Na shtynë që të zhvisheshim vetëm në ndërresa të brendshme... dhe kështu vepruan edhe me femrat, ndonëse në dhoma të ndara”, tha një prej turistëve turq, duke pohuar se një kontrolli të tillë iu nënshtruan vetëm udhëtarët turq.

Edhe udhëheqësi i udhëtimit e konfirmoi se ndaj turqve u veprua ndryshe krahasuar me udhëtarët e tjerë. Ndërkaq, në përgjigjen e saj drejtoria e aeroportit izraelit deklaroi se nuk është në njohuri për asnjë kontroll të jashtëzakonshëm të sigurisë.

Sa i përket policisë turke, ajo, sipas saj që pohojnë udhëtarët izraelitë, këtyre të fundit ua kishte marrë pasaportat dhe pastaj e kishte marrë në pyetje secilin prej tyre, në një dhomë të veçantë. Vetëm pas marrjes goxha të gjatë në pyetje udhëtarëve iu ishin kthyer dokumentet e udhëtimit dhe ishin lejuar të largoheshin nga aeroporti.

Disa udhëtarë që ishin pjesë e një fluturimi tjetër, të cilët kishin kaluar nëpër Turqi gjatë rrugëtimit për në Izrael, deklaruan për radion izraelite se në aeroportin e Stambollit janë trajtuar në mënyrë nënçmuese.

"Ata na detyruan që të zhvisheshim vetëm në ndërresa të brendshme. Mua më kontrolloi një grua që nuk ishte edhe aq e sjellshme”, tha një udhëtare, që u prezantua si Alina, duke shtuar se pas marrjes në pyetje rrobat e saj ishin hedhur në një anë, se ishte urdhëruar që të vishej dhe pastaj ishte dërguar në një dhomë, ku i kishin thënë se nuk guxonte të ulej por duhej të qëndronte në qoshe, pa e lejuar as që të shkonte në tualet.

Sipas agjencisë AP, zëdhënësi i ministrisë izraelite, Jigal Palmor, të hënën në mëngjes ka konfirmuar lirimin e udhëtarëve, megjithëse ka deklaruar se nuk e dinte se për çfarë ishin pyetur shtetasit izraelitë.

Nga Ministria e Jashtme izraelite u tha se kishin “pranuar një ankesë të pazakontë” nga një udhëtar, se disa udhëtarë izraelitë që po fluturonin me Turkish Airlines, nga Stambolli për në Tel Aviv, ishin ndarë në aeroport për t’u marrë në pyetje. Ministria izraelite e vlerësoi sjelljen e tillë ndaj udhëtarëve izraelitë si shumë të pazakontë dhe serioze, derisa konfirmoi se shumë individë kanë kontaktuar ministrinë dhe kanë pranuar se ishin të frikësuar nga marrja në pyetje. Si rrjedhojë, ministria i është drejtuar Ministrisë së Jashtme turke për të kërkuar sqarime.

Sipas një zyrtari, duket se kjo ishte një iniciativë lokale e policisë së Stambollit, megjithëse po kërkohet përgjigja në pyetjen se çfarë karakteri kishte ky hetim.

Agjencia AP nënvizon se as Ministria e Jashtme e Turqisë e as kompania Turkish Airlines nuk janë të njoftuara për incidentin në aeroportin ndërkombëtar në Stamboll, megjithëse disa media turke njoftuan se udhëtarët turq që qëndruan në Izrael ishin bezdisur si pasojë e kontrollimeve të bezdisshme të sigurisë.

Kriza e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Izraelit, që dikur ishin dy shtet aleate, u shfaq pas publikimit të raportit të OKB’së lidhur me ndërhyrjen vdekjeprurëse të komandosëve izraelitë në anijen turke Mavi Marmara, më 31 maj të vitit të kaluar, i cili paraprakisht u botua në gazetën amerikane ‘The New York Times’.

Pas kësaj Turiq paralajumëroi ndërmarrjen e një sërë masave kundër Izraelit, duke filluar me dëbimin e ambasadorit izraelit në Ankara, e deri tek suspendimi i të gjitha marrëdhënieve bilaterale ushtarake.

Pas kësaj, Turqia ka paralajmëruar edhe ngritjen e një padia kundër Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, për shkak të bllokadës së Rripit të Gazës, të cilën anija turke ishte munduar ta shpërthente.

Ndryshe, në këtë incident ishin vrarë nëntë shtetas të Turqisë. Izraeli ende vazhdon të refuzojë kërkesën e Turqisë për kërkim falje për këtë gjakderdhje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›