E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri bllokada në rrugë?

Nga Express më 05 shtator 2011 në ora 19:07

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë paralajmëruar mundësinë e bllokimit të sërishëm të rrugëve, siç është thënë, nëse KFOR-i vazhdon t’i mbajë të bllokuara rrugët alternative, të cilat e lidhin veriun e Kosovës me Serbinë.

Lideri i serbëve të Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka theksuar se KFOR-i plotësisht e ka bllokuar rrugën që shpie për në Novi Pazar, në fshatin Izvori dhe, sipas tij, situata po vjen duke u komplikuar dhe tensionuar.

“Nëse rrugët alternative në Zubin Potok dhe Leposaviq mbyllen në mënyrë hermetike, ne nuk do të lejojmë KFOR-in që të furnizojë ushtarët e vet përmes atyre rrugëve, por këtë le ta bëjë përmes ajrit. Pastaj, ta shohim se a kanë llogari për këtë dhe në interesin e kujt do të jetë një gjë e tillë”, ka theksuar Milloviq.

Liderët serbë të veriut të Kosovës kanë paralajmëruar se qytetarët serbë do t’i kthejnë barrikadat në rrugë, duke vlerësuar se kjo do të ishte hap logjik i tyre dhe e drejtë legjitime, përballë veprimeve të KFOR-it.

Lideri i serbëve të veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, tha se qytetarët serbë janë të shqetësuar nga ngjarjet e fundit dhe janë duke bërë presion të madh ndaj përfaqësuesve të tyre.

Sipas tij, qytetarët me vetiniciativë do t’i bllokojnë rrugët dhe urat.

“Ata, sipas të gjitha gjasave, me vetë iniciativë do t’i bllokojnë të dy urat e qytetit, kështu që bllokada do të nisë që nga Mitrovica e deri në Jarinjë. Ne e shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe para së gjithash KFOR-it, që të ndikojnë që situata të qetësohet. Në të kundërtën, nëse situata radikalizohet, ne nuk do të kemi mundësi që ta kontrollojmë situatën. Pastaj, disa njerëz të tjerë do ta marrin përsipër që ta kenë fjalën kryesore dhe ne do të detyrohemi që të tërhiqemi dhe të rrimë anash”, tha Pantiq. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›