Izraeli i kërkon falje Turqisë
Izraeli i ka kërkuar sot falje Turqisë, për atë që ka cilësuar si shkelje të sjelljeve diplomatike, që ka tendosur edhe më shumë marrëdhëniet dikur tejet të ngrohta mes Izraelit dhe Turqisë.
Pasi që Ankaraja insistoi për kërkim-falje, për shkak të poshtërimit të ambasadorit të Turqisë para kamerave televizive, zëvendësministri i jashtëm i Izraelit, Danny Ayalon, lëshoi një kumtesë, në të cilën pranoi se sjelljet e tij ishin të pahijshme.
“Protesta ime për shkak të sulmeve kundër Izraelit në Turqi mbetet e vlefshme. Sidoqoftë, nuk është shprehi e imja që të shpreh mos-respekt ndaj nderit të ambasadorëve dhe në të ardhmen do të qartësojë qëndrimet e mia në mënyrë të pranueshme diplomatike”, theksoi Ayalon.
Përderisa Ayalon nuk e shfrytëzoi fjalën “kërkoj falje”, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, theksoi se ishte kjo një “kërkimfalje” dhe se i vjen mirë që Ayalon ka ndërmarrë këtë hap.
Ayalon tërboi Ankaranë, pasi që bëri të qartë para kamerave se nuk do t’ia shtrëngojë dorën ambasadorit të Turqisë, Oguz Celikkolit, pasi që nuk vendosi gjatë takimit me të një flamur të Turqisë dhe e detyroi atë të ulët në një divan më të ulët, me zyrtarët izraelitë që ishin të ulur në karrige më të larta, gjatë takimit në të cilin Celikkolit ja përcolli pakënaqësinë e Izraelit me qëndrimet e Ankarasë.
Megjithatë, kanali televiziv turk, NTV, theksoi se zyrtarët turqë nuk janë të kënaqur me kumtesën e Ayalonit dhe theksuan se presin një kërkim-falje serioze. Zyrtarët theksuan se Celikkoli mund të largohet nga Izraeli, nëse Izraeli nuk kërkon falje ashtu siç duhet.