Vritet udhëheqësi i një qelizë të Al Qaidës në Jemen
Udhëheqësi i një qelize të Al Qaidës në Jemen është vrarë gjatë një përleshje me forcat e sigurisë, ka njoftuar sot agjencia shtetërore e lajmeve.
Agjencia njoftoi se shtëpia e militantit të identifikuar nga guvernatori i provincës Shabva si Abdullah Al Medarhard, ishte rrethuar nga forcat e sigurisë të martën dhe se ai është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Jemeni, shteti më i varfër arab, është vënë në vijën e parë të frontit të përpjekjeve të SHBA-së për të luftuar militantët islamikë, pasi që dega e Al Qaidës në Jemen u theksua se qëndron prapa sulmit të dështuar kundër një aeroplani amerikan në Detroit, më 25 dhjetor të vitit të kaluar.
Më herët, Ministria e Brendshme e Jemenit theksoi se së paku 15 kryengritës shiitë janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat fisnore, të cilat i qëndrojnë besnike qeverisë qendrore.
“Së paku 15 kryengritës janë vrarë gjatë dy ditëve të kaluara, gjatë përleshjeve me pjesëtarët e fiseve, të cilat bashkëpunojnë me shtetin”, u theksua në kumtesën e ministrisë.
Kryengritësit shiitë kanë filluar fushatën kundër qeverisë në vitin 2004. SHBA-ja dhe Arabia Saudite frikësohen se Al Qaida mund të shfrytëzojë situatën jostabile në Jemen, për të përhapur operacionet e veta në Arabinë Saudite dhe përtej.