BE - Kosova, dialog afatgjatë për liberalizim të vizave
Diplomati çek, Shtefan Fulle, i propozuar nga
Hose Durau Baroso, për komisioner për zgjerim, ka thënë sot në Parlamentin
Evropian se nëse caktohet në këtë post dhe konfirmohet nga Parlamenti, ai do të
angazhohet që me Kosovën të zhvillohet një dialog i strukturuar për
liberalizimin e vizave.
Nga Augustin Palokaj
Fulle ka thënë se asnjë vend i rajonit të
Ballkanit nuk duhet të mbetet anash dhe se do të angazhohet për të gjitha
vendet.
Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se dialogu eventual për vizat do të jetë
afatgjatë dhe se do të duhet një kohë shumë e gjatë për të arritur deri te qëllimi
i liberalizimit eventual të vizave edhe me Kosovën.
Fulle është përgjigjur në pyetjet e deputetëve të Parlamentit Evropian,
sepse në këtë javë, në Parlamentin Evropian po bëhen seancat dëgjimore të të
gjithë komisionerëve të propozuar.
Siç edhe është praktikë në Bashkimin Evropian, në fund të dëgjimeve, diku më 26
janar, Parlamenti Evropian do të votojë për ekipin e Komisionit të ri Evropian.
Nëse kalon, atëherë ky komision me këtë përbërje do të ketë një mandat
pesëvjeçar.
Shtefan Fulle, për Kosovën është pyetur nga disa deputetë dhe kryesisht për
liberalizimin e vizave, por është pyetur edhe për atë se a mund të integrohen
në Bashkimin Evropian Kosova dhe Serbia pa i normalizuar raportet mes vete.
Fulle është munduar që ti evitojë përgjigjet direkte në pyetje, natyrisht për
të tentuar që të mos irritojë askënd në Parlamentin Evropian.
Sa i përket statusit të Kosovës, ai ka thënë se tash çështja e statusit është
duke u diskutuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, ndërsa, siç është
shprehur ai, në BE nuk kemi unitet ideal rreth statusit të Kosovës, prandaj
duhet të vazhdojmë në këto rrethana, të punojmë me atë që kemi, me unitetin që
kemi, për të angazhuar Kosovën në raporte me BE-në.
Ai ka thënë se fakti që Kosova mund të vazhdojë procesin e afrimit me BE-në,
është shumë i rëndësishëm dhe se këtë fakt e mbështesin të gjitha shtetet
anëtare të Bashkimit Evropian.
Sa u përket pjesëve të tjera të rajonit të Ballkanit, Fulle ka thënë se do të
vazhdohet procesi i zgjerimit të BE-së, por ka insistuar se Bashkimi Evropian
nuk do të pranojë kurrfarë afatesh kohore.
Afatet e integrimit në BE për secilin shtet do të varen vetëm nga mënyra se si
ato i përmbushin kriteret. Ato shtete që do ti përmbushin kriteret strikte, do
të mund të llogarisin në anëtarësim në BE, ka thënë Fulle, duke insistuar se
BE-ja ka nxjerrë mësime edhe nga e kaluara dhe ato do ti përdorë.
Fulle po ashtu ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së është një ndër proceset
më të suksesshme në historinë e Bashkimit Evropian, prandaj ky proces duhet të
vazhdojë. /rfe/