E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet administrative, test i rëndësishëm për Braunin

Në Angli dhe Uells u votua dje për rinovimin e 160 bashkive mes të cilave dhe ajo e Londrës. Për Kryeministrin laburist, Gordon Braun, popullariteti i të cilit është në rënie, veçanërisht për shkak të krizës imobiliare, vota mund të përbëjë një shuplakë të fortë, ose një frymëmarrje çlodhëse në prag të zgjedhjeve politike të 2010-ës. E ndërkohë, konservatorët e kryesuar nga Dejvid Kameron ishin të përqendruar te sfida. Tentojnë të ndalin vrullin e laburistëve dhe t‘i pengojnë ata të arrijnë një fitore të katërt radhazi në zgjedhje. Në administrativet e 2004-ës, konservatorët dolën në vendin e parë dhe laburistët në të dytin. Mbi këtë rezultat ndikoi ndjeshëm vendimi i Toni Blerit për të dërguar trupat ushtarake në Irak. Laburistët rrezikojnë gjithsesi të humbasin kryeqytetin, që tradicionalisht i ka shkuar të majtës. Sfidanti konservator, Boris Xhonson, në sondazhe është paraqitur fitues. Ish-gazetari është një liberal me pozicion atlantist dhe eurospektik. Por, disa sondazhe folën edhe për një "thuajse barazim" me kryebashkiakun aktual, Ken Livingston. Ky i fundit ka qenë kritik i ashpër i Blerit për luftën në Irak dhe mik i Hugo Çavezit dhe ka administruar dy mandate radhazi Londrën, një qytet me 7 milionë e gjysmë banorë dhe një bilanc prej 14 miliardë eurosh. Për më tepër, kryebashkiaku i ri duhet ta çojë vendin edhe drejt olimpiadës së 2012-ës. Por, në të vërtetë, laburistët kanë arritur nivelin më të ulët të popullaritetit në 20 vitet e fundit. Në zgjedhjet administrative mendohet se ata do të mund të marrin vetëm 26 për qind të votave, kundrejt 42 apo 44 përqindëve të konservatorëve. Këto zgjedhje gjithsesi konsiderohen momenti i të vërtetës për Kryeministrin Braun, pasi veç të tjerash përbëjnë edhe përballjen e parë të tij me zgjedhësit që kur zëvendësoi në detyrë Toni Blerin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›