E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli: nga pavarësia te intifada

Sot vendi feston ditën e pavarësisë, dita kur nis edhe një javë eventesh për nder të përvjetorit. Kujtohet ajo ditë kur David Ben Gurioni, bashkë me firmëtarë të tjerë, nënshkruan deklaratën e pavarësisë, e cila shënoi përfundimin e mandatit britanik, duke i dhënë kështu jetë shtetit të Izraelit. Që atëherë ia ka dalë të krijojë një ekonomi jashtëzakonisht të fortë, ku bie në sy një shtresë shkencëtarësh dhe mjekësh ndër më të përparuarit e globit, një agrikulturë ndër më të avancuarat, si edhe të ringjallë gjuhën hebraike. Arriti të absorbojë me sukses mbresëlënës plot një milion emigrantë me kombësi ruse pas rënies së Bashkimit Sovjetik; ka ngritur një skenë kulturore të jashtëzakonshme, një shtyp tejet efecient dhe kritik, dhe pavarësisht luhatjeve, një demokraci parlamentare për t‘u pasur zili.

E megjithatë, ditëlindja e gjashtëdhjetë nuk vjen e tëra me lule. Nga tërë këto arritje, Kryeministri Ehud Olmert duhet të shfaqej mjaft krenar përpara liderëve të tjerë botërorë, ndërkohë që gjendet nën një hetim për korrupsion. Disa analistë mendojnë se bëhet fjalë për skandalin më të madh korruptiv të zbuluar ndonjëherë, gjë që mund ta detyrojë edhe të japë dorëheqjen.

Por ky lloj ambiguiteti i ka rrënjët më thellë se një skandal i thjeshtë korruptiv. Për ta thënë me një shprehje që përdoret shumë nga arabët dhe nga hebrenjtë, Olmerti nuk është profet. Dhe qoftë po të mbetet në pushtet, ashtu edhe sikur të largohet, asgjë nuk do e ndryshojë faktin se ekzistenca e vetë shtetit izraelit rrezikohet nëse ideja e ndarjes së territorit në dy shtete do të binte dhe Izraelit do t‘i duhej të vazhdonte mbajtjen nën kontroll të territoreve të pushtuara palestineze. Këtë e argumenton me një qëndrim që për shumë kohë ka qenë i parapëlqyeri i palestinezeve, si edhe i së majtës izraelite: rënia e kësaj mundësie do të sillte me vete kërkesën e palestinezëve për të drejtë vote, kërkesë që komuniteti ndërkombëtar nuk do mund ta injorojë për shumë gjatë. Gjë që do të shoqërohej në mënyrë të pashmangshme me fundin e shtetit izraelit. Në rast se do besonin ato që thotë Olmerti, kjo është një pikë shumë e fortë kthese për izraelitët.

Ajo që dihet me siguri është se edhe sot, 60 vjet pasi Ben Gurioni firmosi deklaratën e pavarësisë, Izraeli mbetet shtet pa kufij të përcaktuar qartësisht apo të njohur zyrtarisht. Vetë deklarata u nënshkrua në mes të një lufte të përgjakshme. Ose më mirë të themi dy luftërave, e para mes hebrenjve dhe arabëve e njohur si Lufta e Tokës së Shenjtë dhe e dyta mes forcave izraelite dhe ushtrive kombëtare arabe.

Deklarata e pavarësisë së nënshkruar nga Ben Gurioni nuk i kishte specifikuar kufijtë e Izraelit të ri. Dhe tani, e parë në retrospektivë, mund të merret me mend lehtë se gjendja aktuale është çmimi që liderët arabë dhe palestinezë paguajnë për refuzimin e planit të ndarjes së territorit të propozuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1947 - ndoshta oferta më e mirë për ta. Sidoqoftë, vijat kufitare të përshkruara në armëpushimin e vitit 1949, mbetën kufijtë de facto deri në luftën e gjashtë ditëve të vitit 1967, fitorja e së cilës i la nën kontroll Izraelit Bregun Perëndimor dhe Gazën. Dhe pas 60 vjetësh janë pikërisht këta kufij - të quajtur shpesh kufijtë e vijës së gjelbër të vitit 1967 - (si edhe ata të shtetit të ardhshëm palestinez)në zemër të debateve mes Olmertit dhe Presidentit palestinez, Mahmud Abaz.

Edhe pse mbetet ende problemi i kthimit nëpër shtëpi të refugjatëve, falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve mund të gjenden forma të ndryshme kompensimi. Kështu, rikthimi i tyre dhe njohja nga Izraeli të padrejtësive të bëra në vitin 1948 nuk janë të pamundura.

Gjatë ditëve të para në kampin e refugjatëve të Nablusit, prej kohësh i konsideruar si një ndër bazat kryesore të forcave militante të Bregut Perëndimor, kujtimet e vitit 1948 duken më të freskëta se kurrë, edhe retorika po aq tingëlluese. Ahmed Khamisi ishte veç 12 vjeç kur hipi vëllain dhe motrën më të vogël mbi biçikletë, pasi mortajat nisën të bënin shkrumb e hi fshatin e tij, Kfar Ana. Pedaloi me sa nxitim mundi deri në Lod - për pak kohë i sigurt - ndërsa prindërit e tij mblidhnin sa ushqime e velenxa të mundnin për t‘u shkuar pas. Khamis, tani pensionist, e nis bisedën me kërkesën standard. "Duam të kthehemi në shtëpitë tona", thotë. "Ndoshta unë nuk do kem mundësi të jetoj deri atë ditë, por nipërit e mi po".

E megjithatë, gjatë bisedës Khamis pranon se po të ekzistonte një shtet i vërtetë palestinez dhe jo i segmentarizuar - "nga këtu deri në Ramallah gjenden 20 postblloqe", tha - gjërat do të qenë shumë të ndryshme. Ndërkaq, pranon se i vëllai, tani refugjat në një kamp refugjatësh në Jordani është gati të heqë dorë nga kërkesa për t‘u kthyer në shtëpi dhe të kompensohet diku tjetër.

Problemi i Khamisit, ashtu si edhe i shumë palestinezëve - dhe po aq edhe për izraelitët - është se ai nuk po sheh të krijohet një shtet të vërtetë palestinez. Dhe sigurisht që vështirësitë lidhur me negociatat që po zhvillohen mund të veçohen me shumë lehtësi. E para është ideja që - në njëfarë mënyre pasoja e dëmtimit të marrëveshjes së Oslos - çdo mundësi marrëveshjeje mes Olmertit dhe Abazit (nëse do të ekzistonte një e tillë) bëhet e mundur vetëm nëse Izraeli dhe komuniteti ndërkombëtar gjykojnë se krijimi i një autoriteti palestinez do t‘i garantojë Izraelit siguri. Së dyti, është problemi i Izraelit i cili nuk e sheh si urgjente nevojën për negociata të suksesshme, madje as ka besim te një zgjidhje e tillë. Së treti, ekziston një qëndrim i përbashkët ndërkombëtar sipas të cilit edhe pas përpjekjeve të ndërmarra nga Kryeministri palestinez, Salam Fajed, për të rritur sigurinë në vend, Izraeli nuk ka reaguar me të njëjtin seriozitet për përmirësimin e ekonomisë së zonave të banuara nga palestinezët, madje as në Bregun Perëndimor.

Refuzimi i arabëve për të bashkëpunuar me autoritetet izraelite ka shkaktuar pasoja të çuditshme. Në numëratorin telefonik të Jerusalemit, për shembull, hartat e lagjeve arabe janë të bardha, si të ishin zona të paeksploruara ende të Amazonës në shekullin XIX. Kjo, pasi në komitetin bashkiak që zgjedh emrat e rrugëve, nuk punon asnjë palestinez. Në rastet e pakta kur komiteti në fjalë vendos të marrë në konsideratë rrugët e pjesës lindore të Jerusalemit, e bën për të irrituar palestinezët, duke vendosur emrin e ndonjë heroi izraelit lufte.

Posta në këtë zonë të qytetit shpërndahet jo rregullisht dhe krijohet përshtypja se për komunitetin izraelit palestinezët janë të padukshëm, se nuk ekzistojnë, apo se jetojnë në territore të veçuara. Abu Valid Dajani, pronar i një hoteli, familja e të cilit jeton në Jerusalem që prej 700 vjetësh, kujton se i kishte shkruar Olmertit kur ishte kryetar bashkie i qytetit, duke nënvizuar poshtërimet që duhet të duronin banorët e pjesës lindore të qytetit. "Nëse të gjitha problemet tona vijnë për shkak të sigurisë, shkruante në letër me cinizëm, përse nuk kemi një kryetar bashkie me uniformë"? Olmerti u shpreh me simpati për të dhe për letrën, thotë Dajani, por nënvizon se statusi prej qytetarësh të dorës së dytë mbeti i pandryshuar për palestinezët.

Arabët mund të kenë shanse më të mira për ta përmirësuar pjesën lindore të Jerusalemit, nëse vendosin të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Por nuk kanë ndër mend ta bëjnë këtë. Liderët palestinezë në Bregun Perëndimor paralajmërojnë se përfshirja në zgjedhje është si të bashkëpunosh me armikun. Kështu, në zgjedhjet e vitit 2003 votuan vetëm 4 mijë nga 125 mijë arabë. Si rezultat, rezidentët e pjesës lindore të qytetit paguajnë 30% të taksave bashkiake, por marrin në këmbim në formën e shërbimeve vetëm 5% të buxhetit.

Toni Bler, në cilësinë e të dërguarit për lindjen e mesme, është plotësisht i bindur se procesi i negociatave do të bëhej i besueshëm në sytë e palestinezëve vetëm në rast se do të shoqërohej me masa serioze për përmirësimin e gjendjes ekonomike. Bleri ka këshilluar disa hapa modeste që duhen ndjekur nga Izraeli në këtë kuadër, përfshi edhe heqjen e një serie pikash kontrolli dhe njëkohësisht duke lejuar forcën palestineze Janin, të trajnuar nga amerikanët, të marrë në dorë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë. Duhet parë nëse kjo do të arrihet me rastin e vizitës së Xhorxh Bushit gjatë javës së ardhshme.

Dhe në fund qëndron dështimi i plotë i Izraelit përballë asaj force që mbretëron de facto në Gaza, organizatës "Hamas". Nuk duhet të jesh admirues i hamasëve për të parë se organizata as që ka ndër mend të dalë nga skena dhe, së dyti, siç pranojnë nën zë diplomatët, strategjia e izolimit thjesht nuk ka dhënë rezultate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›