Liban, Hezbollahu "pushton" Bejrutin
Grupi libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, ka marrë kontrollin e gjysmës myslimane të Bejrutit, duke përforcuar rrethimin e tij mbi qytet, çka përbën edhe një telash të madh për qeverinë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Burime nga forcat e sigurisë thanë se të paktën 11 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur në tri ditë beteja mes njerëzve të armatosur pro-qeveritarë dhe luftëtarëve besnikë të Hezbollahut, një lëvizje politike shiite me një armatë të fuqishme guerilase. Luftimet, më të këqijat që nga lufta civile e viteve 1975-1990, u ndezën këtë javë, pasi qeveria vendosi të vinte nën shënjestër rrjetin e komunikimeve të guerilasve hezbollahë. Në skena që të kujtojnë ditët e errëta të luftës civile, të rinj të armatosur dolën nëpër rrugë dhe shkatërruan makina e sulmuan godina. Gjëmimet e granatave shpërthyese dhe të shtënat e armëve të zjarrit jehonin gjatë gjithë natës në qytetin që ende po përpiqet të rindërtohet nga shkatërrimi i luftës civile. Mesditën e djeshme luftimet u duk sikur u qetësuan, luftëtarët hezbollahë u vunë nën kontroll, ndërsa besnikët e qeverisë ulën armët. Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca apeluan për qetësi dhe për një zgjidhje paqësore. Siria në anën tjetër tha se kjo ishte një çështje e brendshme libaneze, ndërsa Irani fajësoi "ndërhyrjet aventureske" të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Italia në anën tjetër ka deklaruar se po përgatit një plan evakuimi për shtetasit e saj në Liban, ndërsa Egjipti dhe Arabia Saudite, mbështetës të fuqishëm të koalicionit qeverisës u kërkuan ministrave të Jashtëm arabë që të takoheshin urgjentisht për të diskutuar krizën në Liban. Franca ka ofruar ndihmë për ndërmjetësim mes fraksioneve në Liban me shpresën se mund të ndalojë përkeqësimin e situatës. "Ne ftojmë të gjithë të ulen në një tryezë bisedimesh dhe të arrijmë një marrëveshje. Ne jemi gati të ndërmjetësojmë këto takime dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme", tha ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, në një deklaratë për shtyp. Mes viktimave të luftimeve ishte edhe një grua dhe djali i saj 30-vjeçar, që mbetën të vrarë ndërsa po përpiqeshin të largoheshin nga Ras al-Nabae, një lagje me popullatë të përzierë sunite dhe shiite në Bejrut dhe skenë e përleshjeve më të ashpra. "Ata po përpiqeshin të largoheshin, por nuk mundën... Arritën në spital të vdekur", thotë një i afërm i viktimave. Njerëz të armatosur të Hezbollahut morën nën kontroll selitë e disa mediave në pronësinë e liderit të koalicionit qeveritar, Saad al-Hariri, politikani më i fuqishëm sunit i Libanit. Stacionet televizive dhe radiofonike të Haririt ndërprenë transmetimet menjëherë më pas. Hezbollahu, një grup shiit, i mbështetur nga Siria, ka sulmuar shpesh zyrat e fraksioneve proqeveritare në gjysmën perëndimore të qytetit, të dominuar nga myslimanët. Të mbështetur nga grupi shiit, Amal, luftëtarët e Hezbollahut më pas ua dorëzonin kontrollin e këtyre zyrave ushtrisë, e cila është përpjekur të luajë një rol neutral në krizë. Burime nga forcat libaneze të sigurisë thonë tani se Hezbollahu dhe aleatët e tij kanë kontroll mbi gjysmën myslimane të qytetit, kjo pasi personat e armatosur mbështetës të qeverisë ulën armët. Por, vetë grupi nuk pëlqen të konsiderohet si "pushtues i Bejrutit" dhe dorëzimi i kontrollit në duart e ushtrisë duket edhe një herë rrugëdalja më e mundshme.