Ronaldo, perëndimi i një kampioni
Një natë e shfrenuar si shumë të tjera në Rio de Zhaneiro, një mëngjes i dëshpëruar. Në komisariatin e policisë së qytetit, Ronaldo, me duart e vendosura mbi kokë, përpiqet me çdo kusht të justifikohet. "Nuk e meritoja këtë, nuk kam pirë kurrë kokainë. Unë i kam fituar të gjitha betejat e mia në jetë, por ky mund të jetë fundi i karrierës sime". Në sfond, Andre Luiz Albertino, i quajtur ndryshe "Andreia Albertino", transvestiti 21-vjeçar, me dy miqtë e tij njëlloj si ai, që punojnë në lagjen "Barra da Tijuca", ku është shumë e lehtë të gjesh prostituta. Makina e sulmuesit, moteli "Papillon" dhe një video në You Tube, një rast i tjetër i sikletshëm mbi rikuperimin e vështirë të "ish-fenomenit", siç e quajnë tani në Brazil. Ngjarja mori dhenë, ndërsa policia nisi hetimet për të parë nëse Ronaldo e kishte kërcënuar vërtet Andreia-n apo kishte rënë viktimë e një zhvatjeje. Nga Milani, deklaratat nuk munguan: "Janë çështje personale që shoqëria nuk ka ndër mend t‘i komentojë". Sot, pasi kanë kaluar disa ditë nga ngjarja, kampioni duket i penduar dhe në pritje të faljes. Duket se Ronaldo nuk po gjen paqe pas asaj që ndodhi. Në një intervistë të dhënë për televizion brazilian "Globo" ka treguar me detaje versionin e tij për ngjarjen. Pasi e ka braktisur e fejuara dhe shumë sponsorë janë bërë gati për të prishur kontratat me të, Roni i kalon ditët pa dalë nga shtëpia, në apartamentin e të ëmës në Angra dos Rois. Disa prej familjarëve të tij tregojnë se kampioni e kalon pjesën më të madhe të kohës duke lexuar Biblën, duke evituar edhe zhytjet në det. "Ka qenë një moment dramatik, - ka treguar Roni në intervistën ku ka rrëfyer - për të cilat do të pendohem gjithë jetën. Është njëlloj sikur të kishe ndërtuar një shtëpi dhe një uragan të shkatërrojë gjithçka". Por veç asaj që dukej, sulmuesi i Milanit e pranoi se gabimi i tij më i madh ishte dëshira për të kaluar një mbrëmje me prostituta: "Nuk bëra asgjë, sepse e kuptova se nuk ishte ajo që unë dëshiroja. Nuk e kam menduar kurrë se mund të ishin transeksualë". Ylli brazilian u mundua të sqaronte gjithashtu, shijet e tij seksuale. "Unë jam heteroseksual dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim. Me sa duket, tani në jetën e tij nuk ka më vend as për hakmarrje: në fakt, Ronaldo ka shpjeguar se nuk dëshiron të denoncojë tre transeksualët nën pretekstin "po mendoj vetëm për veten, për atë që kam bërë, për budallallëkun që kreva në fund të një mbrëmjeje kur po kthehesha në shtëpi". Për sa i përket jetës së tij sentimentale, Ronaldo duket se ka shumë besim se do t‘i zgjidhë gjërat shumë shpejt me shoqen e tij, Maria Beatriz Anthony: "Është e vërtetë që kam bërë fjalë - ka pranuar - por ka qenë një zënkë e kotë. Në fillim mendoi të më ofendonte pastaj më ofroi të gjithë mbështetjen e saj. Për të nuk do të jetë e lehtë të më falë dhe ende nuk e dimë se çdo të ndodhë". Edhe pse disa ditë më parë Tim deklaroi se do të prishte kontratën si sponsor, fenomeni është i sigurt se e gjitha kjo nuk do të ketë asnjë pasojë në karrierën e tij. "Kjo gjë nuk ka të bëjë me jetën time personale dhe as do të pengojë karrierën time. Shoqëritë me të cilat kam kontrata e kanë interpretuar këtë episod si një fakt të izoluar". Por një tjetër goditje ka ardhur edhe nga UNICEF, për të cilin Ronaldo kishte besim të plotë se do të vazhdonin bashkëpunimin. Në një komunikatë për shtyp, UNICEF ka komunikuar se "fenomeni" nuk është më ambasadori ynë, duke shpjeguar se emri i tij nuk është i pranishëm në sajtin e Kombeve të Bashkuara ku janë të pranishëm të gjithë ambasadorët zyrtarë të organizmave të ndryshëm të OKB-së, nga Fao tek UNESCO. Një tjetër pikë e rëndësishme është e ardhmja si futbollist dhe raporti me Milanin, e lidhur me rikuperimin pas dëmtimit në gju: "Kontrata ime me Milanin përfundon në qershor. Pas kësaj do të jem i lirë për të nisur bisedimet me klubet e tjera, por në këtë moment nuk dua që të nis asnjë tratativë, pasi më parë dua të njoh kushtet e mia fizike". I vetmi që doli i fituar nga ky skandal ishte njëri nga transeksualët, Junior Carla Tamini që ka pranuar se nuk i kanë munguar ofertat për të xhiruar filma pornografikë.