Izraeli nuk i kthehet kufijve të vitit 1967

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se qeveria e tij nuk do të pajtohet që t’i kthehet kufijve që i ka pasur para vitit 1967.
Në një fjalim të mbajtur në Washington, para një grupi lobues pro-izraelit, Këshillit për Çështje Publike Amerikano-Izraelite, Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se këto vija territoriale janë të “pambrojtshme” për Izraelin e ditëve të sotme.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Barack Obama, tha se negociatat e ardhshme për kufijtë mes Izraelit dhe palestinezëve do të duhej të bazoheshin në kufijtë që ekzistonin para se Izraeli ta okuponte Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor e Rripin e Gazës në luftën arabo-izraelite të vitit 1967.
Por, Obama ka thënë po ashtu se këto vija kufitare mund të rregullohen, po që se Izraeli dhe palestinezët pajtohen për shkëmbim territoresh.