Tahiri u prit në Senatin e Belgjikës

Në këtë rast, zv.kryeministrja Edita Tahiri theksoi se gjatë katër viteve të pavarësisë, Kosova ka shënuar progres substancial në zhvillimin e shtetit demokratik, si dhe ka avancuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e popullit të Kosovës.
Tahiri po ashtu kërkoi vazhdim të angazhimit edhe nga Senati Belg për ta përkrahur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare.
Ajo tha se pa dyshim që angazhimet e fundit i BE-së për fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim në mes të Kosovës dhe BE-së afrojnë më shumë Kosovën me BE-në dhe tregojnë një arritje të madhe në këtë vit për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ardhmërinë evropiane të shtetit tonë dhe Kosova e meriton vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Evropian, tha ajo.
Në vazhdim, bashkëbiseduesit folën edhe për rrjedhat nga dialogu teknik të Brukselit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për angazhimet serioze për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve. Në veçanti ajo theksoi se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit do të mundësojë zbatimin e modelit evropian në bashkëpunime ndërshtetërore për kontrollin kufitar dhe ka rëndësi të veçantë për respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial mes dyja shteteve.
Ndër të tjera, thuhet se Tahiri ka shtuar se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë zhbërjen e barrikadave dhe strukturave ilegale serbe për ti hapur rrugë normalizimit dhe demokratizimit të jetës në pjesën veriore të vendit dhe për integrimin e qytetarëve serb të kësaj pjese.
Ajo vuri në pah se Serbia ka dështuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe rrjedhimisht të kushteve të caktuara nga samiti i Këshillit Evropian në muajin Dhjetor të vitit 2011, duke kërkuar që të rritet presioni ndaj Serbisë për përmbushjen e obligimeve të dialogut.
Kurse zëvendëskryetari i Senatit Belg, Danny Pieters e vlerësoi lartë punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e shtetit dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt integrimeve në BE dhe në NATO.
Ai konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme të shtetit Belg për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke thënë se Senati Belg do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për ta ndihmuar më tej Kosovën.
Pieters po ashtu përshëndeti rolin konstruktiv të Kosovës në dialogut teknik si një kontribut për stabilitetin rajonal dhe për fuqizimin e perspektivës evropiane për Kosovën.