Izraeli refuzon armëpushimin me "Hamas"-in
Mbetet i lartë tensioni mes Izraelit dhe "Hamas"-it. Qeveria e Ehud Olmertit ka refuzuar një propozim për armëpushim gjashtëmujor të bërë nga lëvizja radikale, duke e cilësuar atë një "tentativë për të fituar kohë, për t‘u riarmatosur dhe riorganizuar". Propozimi i "Hamas"-it i ishte dorëzuar të enjten Kajros nga ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Mahmoud Zahar. Oferta parashikonte një armëpushim gjashtë muajsh, fillimisht në Gaza e më pas edhe në Cisjordani, në këmbim të heqjes së bllokadës izraelite nga Rripi i Gazës. Sipas Izraelit, bëhej fjalë gjithsesi për një manovër të grupit radikal palestinez. "‘Hamas‘-i po kërkon vetëm të fitojë kohë dhe të ringrihet sërish", ka thënë shkurt Dejvid Bejker, zëdhënës i qeverisë izraelite. "Nuk do të kishte nevojë aspak për operacionet tona mbrojtëse nëse ata do të ishin ndalur dhe do të kishin hequr dorë nga sulmet terroriste kundër izraelitëve. Ne do të vazhdojmë të veprojmë", ka nënvizuar Bejker, "për të mbrojtur bashkëqytetarët tanë. Ndërkaq, dje, një militant palestinez kishte vrarë me armë zjarri dy roja izraelite në kufirin me Cisjordaninë. Viktimat, 50-vjeçarë, ishin në punë në zonën industriale të Nitzanei Oz. Njëri vdiq në vend, ndërsa tjetri pak më vonë. Vrasësi, ndërkohë, mundi të largohej. Aksioni është marrë përsipër gjithsesi nga dy grupe islamike "Brigadat Ezzedine al Qassem" dhe "Al Qods".