E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekini: Gati për bisedime me Dalai Lamën

Përfaqësuesit e autoriteteve kineze kanë pranuar të takohen me një të dërguar të Dalai Lamës. Lajmi është dhënë nga agjencia zyrtare kineze e lajmeve, "Xinhua", e cila citon burime qeveritare të paspecifikuara. "Duke marrë në konsideratë kërkesat e Dalai Lamës për një takim", shkruante agjencia, "në ditët e ardhshme zyra kompetente e qeverisë qendrore do të mbajë konsultime me përfaqësuesin e tij privat". Lideri shpirtëror i budistëve tibetianë, i akuzuar nga regjimi i Pekinit se po nxit separatistët dhe trazirat e fundit në Tibet, ka insistuar gjithnjë se kërkon dialog me Kinën dhe ajo që kërkon është vetëm një autonomi më e madhe për vendin e tij. Por ndërkohë, një zëdhënës i liderit shpirtëror tibetian, ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion për sa kishte njoftuar agjencia kineze e lajmeve. Sipas zëdhënësit, në fakt, autoritetet qendrore nuk kanë komunikuar asgjë në lidhje me një takim të mundshëm. "Nuk kemi asnjë informacion në lidhje me vullnetin e Kinës për t‘u takuar me përfaqësues të shenjtërisë së tij", tha zëdhënësi nga Dharamsala, një qytezë në veri të Indisë, ku Dalai Lama jeton në azil që nga viti ‘59 e ku gjendet edhe selia e qeverisë tibetiane në mërgim. Në të vërtetë, lideri shpirtëror budist, i akuzuar nga regjimi i Pekinit se është një nxitës dhune, ka insistuar gjithnjë se do të donte dialog me Republikën Popullore të Kinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›