E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutet "Super-Sarko": Kam bërë gabime

Nikolas Sarkozi foli para francezëve dhe pranoi në një intervistë të drejtpërdrejtë në televizion se kishte kryer një numër gabimesh dhe kishte zhgënjyer bashkështetasit e tij. Por, Sarkozi u duk i vendosur në lidhje me strategjinë e tij të reformave pavarësisht se sondazhet tregojnë se pjesa dërrmuese e francezëve mendojnë se viti i parë i tij në detyrë, ishte një dështim. Sarkozi, shfrytëzoi intervistën e drejtpërdrejtë që zgjati 90 minuta, në "Elize", për të rilançuar veten si një lider i besueshëm dhe i devotshëm, pasi përvjetori i parë i tij në detyrë u shënua nga një performancë tejet e pakënaqshme në sondazhe, kjo për shkak të publicitetit të madh të jetës së tij private, politikave qeveritare dhe konfuzionit. "Super-Sarko" i fillimit, i akuzuar nga kritikët e tij për arrogancë, prepotencë dhe autoritarizëm, u zëvendësua në këtë intervistë të fundit nga "Sarko modest dhe i butë". Fjala "gabim", që rrallëherë ka qenë pjesë e fjalorit të tij presidencial, u përsërit pesë herë. Shtypi francez, menjëherë e pikasi këtë "përulësi" të tij, diçka krejt e re kjo, e paparë ndonjëherë. Sarkozi u ngjit në pushtet një vit më parë, duke premtuar se ai ishte i vetmi njeri, i guximshëm aq sa duhet, për të reformuar në mënyrë radikale Francën. Por, pas një viti, politikanët e opozitës, publiku e madje edhe eksponentë të partisë së tij, e akuzojnë se ka prodhuar thjesht një seri masash të pashpjegueshme dhe jo produktive, të pambështetura apo të papërfunduara, duke i bërë francezët konfuzë, dyshues dhe të hallakatur. E madje këtë u detyrua ta pranonte edhe vetë ai. "Pa dyshim ne nuk kemi dhënë aq shpjegime sa duhej. Pa dyshim, unë vetë kam bërë disa gabime", tha ai, duke shtuar se Franca ishte në një moment të keq dhe kjo duhej marrë parasysh. I pyetur nëse jeta e francezëve është përmirësuar që kur ai u ngjit në detyrë, Sarkozi u përgjigj: "Jo aq sa duhet". Ai gjithashtu, pranoi edhe përgjegjësinë e pjesshme se e kishte ekspozuar më shumë se ç‘duhet jetën e tij private në sytë e publikut. Historia e tij e dashurisë dhe më pas edhe martesa me ish-supermodelen Karla Bruni, u bë një telenovelë e ndjekur ndërkombëtarisht, por në të njëjtën kohë shkaktoi edhe rënien e tij në sondazhe brenda Francës. Më herët, ai i kishte shfrytëzuar konferencat për shtyp apo intervistat në televizion për të shfaqur dashurinë për bashkëshorten e re. Këtë radhë, ai pranoi se publiku nuk donte ta dëgjonte këtë. "Sot, unë kam ardhur të flas për Francën dhe për problemet e francezëve", tha ai. "Për sa i takon jetës time private, gjithçka është sërish nën kontroll". Por, ai ishte këmbëngulës në bindjen e tij se Franca ishte 30 vjet pas vendeve të tjera të reformuara evropiane dhe se njerëzit duhet të punonin më shumë. Ai u hodh sërish në mbrojtje të idesë së tij për javën 35-orëshe të punës dhe nevojën për reformim të sistemit të pensioneve. Ai tha se do të vazhdonte me shkurtimin e vendeve të punës në administratën publike, përfshirë mësuesit, pavarësisht protestave të zhvilluara. "E shoh që njerëzit janë të mërzitur, por e di se ku po shkoj. E di shumë mirë që nuk ka strategji tjetër. Pakënaqësia do të ishte shumë herë më e madhe nëse unë do të ndalesha këtu vetëm sepse sindikatat nuk janë të kënaqura", tha ai. Pavarësisht zërave brenda kampit të tij, sipas të cilëve, qeveria duhej të përqendrohej në disa reforma prioritare, në vend që të "shkundte" gjithçka nga themelet, Sarkozi insistoi se do të vazhdonte reformat në të gjitha frontet. Ai tha se kishte lançuar deri më tani 55 reforma. Përsëriti më tej vendosmërinë për ndjekjen e një linje të ashpër ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe tha se do të zhvillonte një referendum në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Sondazhet tregojnë se vetëm 28 për qind e francezëve besojnë se presidenca e Sarkozisë po ecën në drejtimin e duhur. Ndërkohë, 11.7 milionë njerëz, ndoqën intervistën e transmetuar në televizionet kryesore, shifër kjo shumë e vogël nëse do të bëhej një krahasim me të tilla evenimente në të shkuarën. Shqetësimi më i madh në Francë është pamundësia e familjeve për të përballuar jetën e përditshme dhe rënia e fuqisë së tyre blerëse. Sarkozi, në intervistë, nënvizoi faktorë të jashtëm si çmimet e naftës, forcimin e euros dhe krizën financiare në botë si shpjegime për disa nga kufizimet e politikës së tij ekonomike. Gazeta e krahut të djathtë, "Le Figaro", e cilësoi performancën e tij si një "evolucion" në atë që shumica e francezëve e shohin si qëndrim i vërtetë presidencial, duke shtuar se do të duhej kohë që Sarkozia të ripushtonte plotësisht zemrat e francezëve. E përditshmja e krahut të majtë, "Liberasion", në anën tjetër, duke ndier "tonin" e zbutur të Presidentit, shprehte skepticizmin e saj. "Ai nuk ngjasonte me një avokat ‘snob‘ por thelbi, ishte i njëjtë", shkruante ajo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›