Izraeli,deri të martën tërheq trupat nga Gaza

Izraeli po planifikon që të tërheqë trupat nga Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur, me arritjen e armëpushimit të fundjavës, pas tri javë luftimesh në territorin palestinez. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme izraelite deklaroi se tërheqja e trupave, që ka filluar që ditën e dielë, mund të mbarojë të martën në mbrëmje. Zyrtari, i cili ka preferuar të mbetët anonim, tha se tërheqja e plotë mund të kryhet përpara se Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të fillojë punën në zyrën ovale, që sipas orës lokale izraelite është në orën 19:00. Forcat izraelite të Mbrojtjes njoftuan të dielën se kishin filluar pjesërisht tërheqjen nga Rripi i Gazës dhe se tërheqja e plotë do të ishte punë ditësh. Gjatë luftimeve 22 ditore, zyrtarët në Rripin e Gazës kanë raportuar më shumë se 1 200 palestinezë të vrarë, ndërsa pala izraelite ka njoftuar për vetëm 13 viktima nga kampi i tyre. Ndëkohë, nga Uashingtoni, një ndihmës kryesor i Barak Obamës, është shprehur se Presidenti i ri amerikan do të lëvizte me shpejtësi për të punuar për situatën në Lindjen e Mesme, pasi të zëvëndësojë Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë. "Ngjarjet përreth botës kërkojnë një veprim të shpejtë të Obamës dhe unë deklaroj se ju do ta shihni atë të reagojë", tha ndihmësi i Obamës Dejvid Akselrod për rrjetin televiziv amerikan CNN. Por Akselrod ka refuzuar të premtojë nëse Obama do të emëronte ndonjë të dërguar special në Lindjen e Mesme, në ditën e tij të parë të punës.