E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja 14 zbulimet e reja arkeologjike të vitit 2008

Autori i Lajmit: red.
Ky vit konsiderohet si një nga vitet më të suksesshme për sa u përket zbulimeve arkeologjike, por edhe ekspeditave të shumta që janë ndërmarrë gjatë këtij viti. Drejtoresha e Muzeut Arkeologjik, Shpresa Gjongecaj, në një prononcim për gazetën tha se edhe gjatë sezonit të verës ekspertët ishin në terren duke ndjekur ekspeditat qofshin ato shqiptare apo edhe në bashkëpunim me të huajt. Kështu, gjatë këtij viti janë bërë zbulime mjaft të rëndësishme, të cilat jo vetëm që pasurojnë historinë tonë të hershme, por tregojnë për një kulturë shumë të zhvilluar. Gjatë këtij viti, Instituti i Arkeologjisë, pranë QSA, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera shkencore shqiptare dhe të huaja, ka kryer një sërë ekspeditash përnjohëse dhe arkeologjike në qendra të njohura arkeologjike si në: Bylis, Koman, Durrës, Antigone, Apoloni, Butrint, Finiq etj.
Ja titujt e projekteve që janë realizuar ose janë në proces e sipër:

-“Vendbanimi Komanit, nga vendbanim modest i periudhës romake, në qendër kryesore të dioqezës së Pulatiumit”.
- “Studim arkeologjik dhe arkeometrik i materialeve të gërmimeve të emergjencës dhe të amfiteatrit të Durrësit (2008-2010).”
- “Bylisi arkeologjik”.
- “Lezha në antikitetin e vonë dhe Mesjetë: organizimi i hapësirës urbane dhe dinamika e popullsisë” në bashkëpunim me Shkollën Franceze të Romës.
- “Kaonia në prehistori”, në bashkëpunim me Shkollën Angleze të Athinës.
- “Kërkime arkeologjike në Shqipërinë Verilindore, Kalaja e Grazhdanit, Dibër”.
- “Apolonia” në bashkëpunim me Universitetin e Grenoblës, Francë.
- “Lissos: Strukturat urbanistike dhe socialekonomike të një polisi helenistik në Iliri”, në bashkëpunim me Institutin Gjerman të Arkeologjisë.
- “Monumentet e kultit të krishterë” - kisha e 40 shenjtorëve në Sarandë në bashkëpunim me Akademinë e Athinës”.
- “Vendbanimi neolitik i Burimit, Dibër.
- “Foinike” në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës.
- “Amforat e Apolonisë”
- “Qyteti Antik i Orikut” Vlorë.
- “Teatri i Apolonisë”
3. Zbulimet nënujore dhe rëndësia e tyre

Zbulimi i 2 anijeve në Sarandë

Ekspedita nënujore shqiptaro-amerikane nxori në dritë, në zonën ndërmjet Sarandës dhe Porto Palermos, dy anije të shekujve 6-4 para Krishtit të ngarkuara me amfora korintike. Zbulimi i rrallë për botën e arkeologjisë mesdhetare, mund ta vendosë bregdetin shqiptar në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik. Zbulimi në ujërat e Jonit i dy anijeve të lashta, njëra e shekullit të 6-të dhe tjetra e shekullit të 4-t para Krishtit. Zbulimi i këtyre anijeve të periudhës klasike konsiderohet shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore. Arkeologët e ekspeditës, të angazhuar në kërkimin nënujor vetëm në dy ekspedita, mendojnë se kjo është anija e parë e gjetur në Mesdhe, e cila ka një ngarkese të plotë me materiale të tilla. Zbulimi i anijeve të kësaj periudhe është nga zbulimet më të rralla në Mesdhe, çka do të thotë se me këtë zbulim bregdeti shqiptar vendoset në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik. Për këtë arsye “lajmi i zbulimit të anijeve të periudhës klasike është shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore”, - thonë specialistët, të cilët nën zë shtojnë se të tjera surpriza priten nga zhytjet e “Herkulesit”.
Ekspedita “Expedition Albania 2008” nisi punë në terrenin e ujërave detare të vendit tonë falë një marrëveshjeje të nënshkruar midis Institutit të Arkeologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ministrisë së Mbrojtjes dhe fondacionit amerikan “RPM Nautical Foundation”. Në përbërje të ekspeditës shqiptaro-amerikane janë presidenti i fondacionit, Xhorxh Rob, drejtori i Projektit të palës amerikane, dr. Xhef Rojal, drejtori i Projektit për palën shqiptare, dr. Adrian Anastasi, koordinatori i Projektit, Auron Tare, dhe këshilltar shkencor prof. Neritan Ceka.
Anija e quajtur “Herkules” me të cilën u krye operacioni, që prej vitit të shkuar është e pajisur me aparaturat më bashkëkohore të fotometrisë dhe modelimit dixhital të relievit nënujor të studimit të pasurisë arkeologjike nënujore. Është i njëjti ekip dhe e njëjta anije që po eksploron në gjatësinë e bregdetit shqiptar. Objektivat e saj konsistojnë në krijimin e hartave dixhitale për trashëgiminë arkeologjike nënujore, identifikimin e relieveve arkeologjike, krijimin e një legjislacioni modern për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore, e një qendre ndërkombëtare studimi për arkeologjinë nënujore, në trajnimin e studentëve shqiptarë në këtë fushë, krijimin e Muzeut të Arkeologjisë Nënujore në Shqipëri dhe më shumë mundësi për zhvillimin e turizmit të nënujit etj. Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nënujore pati në dispozicion një ekip shumë profesionist si dhe përdori teknologjinë e fundit të kërkimeve nënujore në thellësi të mëdha. Kjo ekspeditë për mjetet që kishte në dispozicion dhe dy anijet kërkimore është një prej më të rëndësishmeve në Mesdhe. Kostoja ditore e ekspeditës është rreth 25 mijë USD në ditë.
Në Liqenin e Prespës së Madhe të rrethit Korçë, janë kryer gërmime dhe vëzhgime nënujore nga projekti i përbashkët shqiptaro–francez (qershor 2008).

Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›