E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështjella e Argjiros, 5 500 vizitorë gjatë sezonit turistik

Autori i Lajmit: red.
Edhe ne këtë sezon turistik kështjella e gurtë e Gjirokastrës vazhdon të përbëjë një element tërheqës për guidat e vizitorëve vendas dhe të huaj. Sipas shifrave të publikuara nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të qytetit-muze, gjatë këtij sezoni turistik në kalanë e Gjirokastrës është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Sipas të dhënave që disponojmë në bazë të biletave të shitura gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht 2008, kështjella e Gjirokastrës është vizituar nga rreth 5 500 persona”, - thotë drejtori i Zyrës së Administrimit të Qytetit-muze, Rajmond Kola. Vizitorët që mbërijnë në kështjellën e gurtë vazhdojnë të shprehin interes për vlerat historike dhe ndërtimore të këtij monumenti kulture nga më të veçantët jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon. Të ardhurat e siguruara nga biletat, shuma financiare e të cilave llogaritet në rreth 1 milion lekë, synohet të përdoren për ndërhyrje të ndryshme në këtë monument kulture. Ndërkohë Zyra e Administrimit dhe Kordinimit të Qytetit-muze në vazhdim të nismave të saj për promovimin e vlerave turistike të zonës ka ndërmarrë një nismë sensibilizimi në lidhje me njohjen e personave të interesuar vendas dhe të huaj me vlerat historike dhe turistike të kalasë së gurtë të Gjirokastrës.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›