Ja fondet që përfiton secila ministri
Pjesën e luanit e ka marrë Ministria e Punëve Publike me 51.9 mld lekë, rreth 10 miliardë më pak se viti 2009. Rritet fondi për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Buxheti,
TIRANË- Komisioni i Ekonomisë kaloi dje në parim prjektbuxhtin e vitit 2010 duke miratuar fondet për ministritë dhe gjithë institucionet shtetërore.
Në vend të parë me fondin më të madh ashtu si edhe një vit më parë qëndron Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit me 51.9 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi rreth 37 miliardë parashikohet të shpenzohet për ndërtimin e sistemit rrugor.
Rreth 9 miliardë të tjera do të shpenzohen për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që për vitin 2009 fondi për këtë sektor ishte rreth 5 miliardë. Fondi i përcaktuar në buxhtetin e vitit 2010 për MPPTT-në është rreth 10 miliardë lekë më i vogël së ai për vitin aktual.
Nëse bëhet një krahasim midis shifrave të këtij vitit dhe atyre të vitit të ardhshëm, vetëm fondi për zhvillimin e rrjetit rrugor është rreth 52 miliardë, e barabartë me të gjithë zërin e përcaktuar për vitin 2009 ose rreth 19 miliardë më shumë se i vitit 2010.
Një zë të rëndësishëm në buxhtein e shtetit kap edhe fondi i ndarë për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës me 43.8 miliardë lekë. Shpenzimet më të mëdha në këtë sektor parashikohet t'i marrin investimet në arsimin bazë me 25.6 miliardë lekë.
Rreth tetë miliardë janë parashikuar për arsimin e lartë dhe 6 miliardë për atë të mesëm. Në krahasim me vitin aktual, buxheti i 2010-ës parashikon një ulje me 1.6 miliardë lekë të fondit për arsimin e lartë dhe rritje me 3 miliardë për arsimin bazë.
Gjatë prezantimit të buxhetit, kryeministri Sali Berisha kishte theksuar se arsimi do të ishte një nga priroritetet e këtij viti, ndërkohë fondi për këtë sektor në buxhetin e 2010 në krahasim me vitin aktual është vetëm 2.4 miliardë lekë.
Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është një nga përfitueset e mëdha të fondeve në buxhetin e shtetit. E renditur e treta ndër ministritë, ajo ka thithur rreth 43.6 miliardë lekë duke shënuar rritjen më të madhe me 9.2 miliardë lekë në krahasim me vitin 2009.
Pjesën më të madhe të fondit të përcaktuar për këtë ministri e thithin dy sektorë. Rreth 21 miliardë janë përcaktuar për sigurimet shoqërore ndërsa 20 miliardë të tjera për programin e mbrojtjes sociale.
Në vend të katërt për nga vëllimi i fondeve të marra qëndron Ministria e Shëndetësisë me 29.4 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të fondeve në këtë sektor e merr shërbimi i kujdesit dytësor me rreth 17.8 miliardë lekë. Rreth 8 miliardë lekë janë ndarë për shërbimin e kujdesit parësor.
Edhe shëndetësia është shpallur si një nga prioritetet e qeverisë ndërkohë që në krahasim me një vit më pare, fondet për këtë sektor kanë pësuar një rritje me 3.8 miliardë lekë.
Me pranimin e Shqipërisë në NATO, verehet edhe një rritje e fondeve të përcaktuara për Ministrinë e Mbrojtjes. Nga 23.6 miliardë lekë që ishte për 2009 ai është rritur në 25 miliardë. Pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, vendit tonë i është kushtëzuar përcaktimi i një fondi sa 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për Mbrojtjen.
Më pas renditen Ministria e Brendshme me 17.5 miliardë lekë, ajo e financave me 7 miliardë, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Bujqësisë me nga 6.8 miliardë, Mjedisi me 2.1 miliardë, Ministria e Jashtme 2.3 miliardë. Për t'u theksuar është edhe fondi i përcaktuar për Televizionin Publik , rreth 570 milionë lekë.