E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse Elbasani refuzon keqmenaxhimin “Sejdini”

07-05-2011 / Nga Shqipe Xoxi

Para dy ditësh Edi Rama mori pjesë në mitingun përmbyllës të fushatës në Elbasan në mbështetje të kandidatit për bashkinë e Elbasanit Qazim Sejdini, i cili pretendon për një mandat të dytë, si e vetmja rrugë e mundshme dhe “të refuzojnë Saliun”. Megjithëse nën reshje të vazhdueshme shiu, Rama nuk e ka shtyrë fjalimin e tij në këtë miting duke theksuar se duhet refuzuar “Saliu i Tiranës dhe Saliu i Elbasanit”.
Megjithatë duhet thënë se refuzimi është një fjalë që z. Rama nuk ia njeh kuptimin përsa i takon vetes, dhe pse ia njeh mirë përsa i përket kundërshtarit politik. Në këtë ftesë për “refuzim” z. Rama i lagur edhe nga shiu përdori një gjuhë urrejtje, që është karakteristike e tij dhe e pjesës më ekstremiste të Partisë Socialiste, duke e quajtur kundërshtari politik si “armik”, si “kusar”, si “matrapaz” etj. Afërmendsh është një gjuhë e papranueshme dhe e dënueshme, për cilido njeri që ndjehet qytetar. 
Qytetarët tani duan të përfaqësohen nga vizioni përparimtar dhe jo nga idetë hakmarrëse politike. Prandaj ai po humbet kohë me të tilla deklarata. Tirana ka zgjedhur alternativën e re larg monotonisë dhe neglizhencës 12 vjeçare. Edhe Elbasani do të ndryshojë fytyrë. Qytetarët e Elbasanit refuzojnë të paaftët dhe jo drejtuesit që mundësojnë dhe krijojnë avantazhe për qytetin pas ndërtimin të Autostradës Tiranë-Elbasan, pas ndërtimin e kampusit Universitar në Krastë, pas ndërtimin e parkun Energjetik, që shton punësimin dhe për rrjedhojë përmirësimin e cilësisë së jetesës qytetarëve të Elbasanit.
Sakaq i vetmi njeri, në të vetmen rrugë që miratonte me kokë gjithçka  sa thoshte nën shi Edi Rama ishte përfituesi: Qazim Sejdini, i cili në ca momente dukej se donte të përqafonte nga gëzimi shefin e tij.  Megjithatë në ca momente të tjera z.  Sejdini na shfaqet ndryshe.  Ai bën të fyerin kur sulmohet dhe bën të lumturin kur sulmohet kundërshtari i tij, Z Hushi. Kjo gjë u konstatuat edhe në debatin e fundit televiziv në ”Vizion +”, ku zotëria luajti me mjeshtëri  të viktimizuarin sikur iu është sulmuar familja e tij. Me këtë justifikim z. Qazim na thotë se pse ka refuzuar të gjitha ftesat që i janë bërë atij për një debat televiziv “mbi Elbasanin” me kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”.
***
Megjithatë ka 4 arsye që z. Sejdini refuzoi debatin mbi Elbasanin.
Së pari: ai pati frikë të peshohen në peshoren e punëve të kryera dhe të pabëra në qytet. Ai si një tregtar i vjetër e di më mirë se kushdo tjetër përreth tij se bilanci është tejet negativ. Në 4 vite ai ka krijuar një borxh prej 3 miliard lekësh bashkisë Elbasan vetëm për të favorizuar në 29 tendera rrugësh klientët e miqve të tij, edhe pse arka e Elbasanit ishte bosh, tamam si premtimet e tij për 4 vitet e ardhshme. Elbasanit i duhet rrugë dhe autostrada dhe jo rrugica që propozon z. Sejdini apo mentori Rama.
Së dyti, ai refuzoi të dilte në ballafaqim me justifikim ridikul se i është sulmuar familja. Sidozot të gjithë kanë respekt për familjen e tij, sikurse është normale për të gjitha familjet e tjera. Mirëpo ai ndjehet i fyer, i prekur në sedër pa shkak, sepse po i thuhet e vërteta mbi familjarët e tij, të cilët po përdorin Bashkinë Elbasan, si mjet të drejtpërdrejtë përftimi dhe si bastun presioni për çdo kënd që cenon interesat e tyre në biznes.
Kjo po që është e papranueshme në një demokraci funksionale.
Së treti: ai refuzon të ballafaqohet me z. Hushi, për shkak se ky i fundit duhet të japë xhevap për bizneset e shumta të administruara prej  gruas së tij, c’ka është një biznes i ngritur prej dorës së Z. Sejdini. Ai i imponohet bizneseve nga agjencitë doganore, në sigurime, makinash dhe jete ku është e bija, tek e para është e shoqja. Pse dhëndri i tij është presidenti i rojeve të objekteve publike të Bashkisë. Edhe pse Z. Qazim në debatin përballë Alfred Pezës nuk pohoi se Sokol Sh. është dhëndri i tij, ngase ende vajza e tij s’ka kryer celebrimin. Mirëpo qytetarëve kanë interes të dinë për arrestimin e “dhëndrit” si një person në kërkim dhe i rrezikshëm shoqërisht dhe jo për celebrimin. Sokol Sh. ka një dosje në policinë e Shtetit për 5 plagosje dhe kanosje me armë. Ai ka qenë një prej organizatorëve të dërgimit të militantëve të dhunshëm në 21 janar. Edhe pa celebrim të kryer, z. Qazim duhet t’i kërkojë dorëzimin e këtij njeriu, dhe të distancohet nga dyshimi se është bashkia Elbasan mburojë për të mbuluar gjurmën e “dhëndrin”.  Këto janë aspektet negative të çështjes…
Së katërti: ai  krekoset si gjel për menaxhimin e sporteve. Ndonëse ka pak për t’u ndjerë krenar kur sport-klub Elbasani preu biletën për në kategorinë e dytë. Shumë sportet e tjera janë degraduar nga neglizhimi. Qazim Sejdini punon fort vetëm për bizneset e tij, për familjen biologjike dhe atë nepotike dhe jo për interesat publikë të së mirës publike. Durim Hushi është ndryshe. Ia ka një platformë të ndërtuar dhe formësuar për interesat e qytetarëve të Elbasanit. Në çdo takim që është në qytetin tonë ai ka qenë i gatshëm për të dëgjuar hallet e problemet e qytetarëve. Bashkëpunimi me qeverinë qendrore është e domosdoshme për një qytet që pret brenda dy vitesh një bum ekonomik. Elbasani ka nevojë për një menaxher, për një drejtues të sprovuar dhe jo një njeri që thotë e “bën Lala”. Ky është momenti më vendimtar për të vendosur për të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk kemi kohë për të humbur me një njeri që merret me shumë me interesat e bizneset e familjes së tij, sesa kërkesave që ka një qytet si Elbasani.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›