E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse Prokuroria e quante të dyshimtë dëshmitarin e Metës, Bekim Halili! (FAKSIMILET)

Share

Botohet e plotë dosja e dënimit të tij për mashtrim. Enigma e dëshmisë së pastër të penalitetit. A është i implikuar Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në një krim të ri?

Në pretencën e saj ndaj Ilir Metës prokuroria ka përmendur dhe kredencialet e dyshimta të dëshmitarit të mbrojtjes, Bekim Halili, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Rrethit të Durrësit në nëntor të vitit 1996, e cila ka dënuar me 5 vjet burg për mashtrim Bekim Halilin.

Gazeta Tema siguroi vendimin gjyqësor të Gjykatës së Rrethit të Durrësit, i cili ka deklaruar fajtor të pandehurin Bekim Mitat Halili, për veprën penale të mashtrimit dhe në bazë të nenit 14 të Kodit Penal e dënon atë me 5 vjet heqje lirie. Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillonte pasi të ekzekutohej vendimi nr 231 datë 27.09.1996 i Gjykatës së Rrethit të Durrësit për arrestimin e të pandehurit.

Por siç del nga hetimet tona, i pandehuri u arratis në Selanik dhe nuk u bë i mundur arrestimi i tij. Kjo ka bërë që pas një periudhe të caktuar 5 vjeçare, dënimi të parashkruhej dhe ai ti shpëtonte burgosjes. Gazeta ka siguruar dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit të shkurtit 1997, e cila nuk ka pranuar ankimimin e tij.

Por enigma kryesore që del nga kjo dosje është fakti se Bekim Halili ka dorëzuar në Prokurori një vërtetim të gjendjes së tij penale si i padënuar. Ministria e Drejtësisë që lëshon këto dokumente, ka bërë një falsifikim të rëndë, për të cilën është përgjegjës Ministri Eduard Halimi. Përfshirja e tij në falsifikimin e një dokumenti për shkak të një gjyqi që ka rëndësi politike për shumicën, është tregues i hidhur i inkriminimit të pushtetit në favor të një të dënuari ordiner.

Gjykata: Bekim Halili ka mashtruar si një firmë piramidale

Në vendimin e saj Gjykata e Rrethit të Durrësit thekson se gjatë debatit gjyqësor u provua se i pandehuri Bekim Halili, president i firmës B&G shpk në Durrës filloi të marrë para me përqindje. Nga deklaratat e dëshmitarëve para gjykatës del se ai ka mashtruar shtetasit Luan Voda, Hasan Buqeza, Ruzhdi Soraj, Servet Demiri, Ervehe Demiri, Xhelal Veliaj, Saip Osmani, Adrian Trico, Agron Zhupa, Sofokli Calo, Jorgji Stamo, Teodor Cerma, Kristofor Konomi, Konstandin Kasho, Prokop Cerni, e Petraq Beqari.

Nga hetimi gjyqësor ka dalë se i pandehuri u ka marrë gjithsej 54.88.4000 lekë, 10.000 dollarë, 22 mijë franga zvicerane, 4 mijë marka gjermane, 13 milionë e 200 mijë dhrahmi greke, 110 milionë e 860 000 mijë lireta italiane. Pasi ua ka marrë këto para, i pandehuri është arratisur në maj të vitit 1996 në Greqi dhe ka ndërprerë kontaktet me ta. Gjykata ka vlerësuar se veprimi nga ana penale është kryer me dashje, dhe është marrë parasysh ne dhënien e vendimit dhe rrezikshmëria shoqërore e tij. Për këtë Gjykata e ka dënuar me 5 vite burg.

Kallëzimi i dytë për Bekim Halilin

Nuk ishin vetëm personat e sipërpërmendur që ishin mashtruar nga biznesmeni që mbrojti Metën në gjyq, Bekim Halili. Ndaj tij është ngritur dhe një tjetër kallëzim penal nga njerëz të afërt të tij që e akuzojnë për mashtrim. Në vitin 1995 Halili ka funksionuar si një firmë piramidale duke u marrë para njerëzve me premtimin e përqindjeve më të larta se të bankave, ndërkohë që me paratë në xhep është zhdukur në Greqi. Këta persona i janë drejtuar gjykatës me shpresën për të hapur çështjen. Kështu ata i janë drejtuar gjykatës së rrethit Durrës me një kallëzim penal, që e posedon gazeta Tema, ku kërkojnë drejtësi për mashtrimin që u është kryer në vitin 1995 nga shtetasi Bekim Halili. Paditësit janë: Bardhyl Xhakollari për shumën 1.500.000 lekë, Qerim Brahimaj 1.200.000 lekë, Bato Bundu, 2.600.000 lekë dhe Abedin Dervishi për shumën 1.000.000 lekë. Në kallëzimin e tyre penal këta persona thonë se janë persona të afërt me të dhe gjatë kohës kur u hap gjyqi për mashtrim ndaj tij, Halili i ka lutur që të mos e kallëzonin se do ua kthente paratë bashkë me interesat. Kalvari i familjarëve të mashtruar nga i afërmi i tyre Bekim Halili ka vazhduar prej vitesh. Madje njëri prej tyre ka marrë rrugën drejt Selanikut me premtimin që do të merrte paratë dhe më pas është kthyer duarbosh. Duket se zemërimi i të mashtruarve nga biznesmeni, dëshmitar mbrojtës i Ilir Metës ka arritur kulmin kur ata kanë mësuar se ai po merrej me biznese në Shqipëri dhe ndërkohë nuk kishte vuajtur akoma dënimin e dhënë nga Gjykata për mashtrim.

Vendimi i Gjykates se Faktit, Durres, per Bekim Halilin

Gjykata e ka denuar Halilajn me 5 vite burg

Kallezimi i dyte per Halilin

Nje nga paditesit tregon kalvarin e tij drejt Selanikut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›