E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse monarkia ishte e domosdoshme për mentalitetin shqiptar

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (8)

Vijon nga numri i kaluar

X.

Mbreti i Shqiptarëve

Populli shqiptar në shumë prej ndjenjave të tij e shfaqjeve të shpirtit, ka ngelur ai që ka qenë që prej shumë shekujsh. Dhe

nëse në gjirin e tij dalin elementë të rrezikshëm, me të vërtetë të dëmshëm, këta janë prej atyre që pasi mbarojnë klasën e pestë fillore, ngelen në portat e shkollës ose kulturës së lartë.

Por populli ynë, ai popull i vogël, ai me të vërtetë i vockël e pa pretendime, është i mirë, bujar, i pritshëm dhe gati për çdo sakrificë. Ka të gjitha cilësitë për të bërë një hop cilësor dhe për të kryer një vepër të madhe.

Po jua përshkruaj me dy fjalë, siç e kam shkruar një herë tjetër.

Më 1911, kur Mirdita donte të udhëhiqte kryengritjen kundër pushtuesit të huaj, një prej njerëzve të mi më të devotshëm, -

duke qenë se e kritikova si frikacak, për shkak se ngurronte të zbatonte një urdhër, në fakt pak si të rrezikshëm, - m'u përgjigj krenarisht: "Vetëm në një rast do të kisha frikë: - kur të më vinte në shtëpi një mik dhe të mos kisha bukë e kripë!"

Në këtë përgjigje homerike është gjithë fisnikëria e gjithë madhështia e njerëzve tanë, që në mes të shekullit të 20-të, vazhdon të ndjekë zakone e tradita kavalereske të perënduara prej kohësh në popujt e tjerë.

Nëpër malet ku ende nuk është futur plotësisht kodi penal, të kalosh fshatin e një armiku (hasmi) që, sipas ligjit të vjetër të gjakmarrjes, ai do të kishte të drejtë t'ju vriste, nuk është ndonjë gjë e rrezikshme, nëse këtë kalim e bën i shoqëruar me një grua ose me një fëmijë; t'i dorëzohesh armikut nënkupton në çdo rast të jesh i shpëtuar nga rreziku për jetën, por edhe mund të falesh; të jesh i huaj është njëlloj si të kesh të drejtë për çdo ndihmë e mbrojtje.

Aty këtu nëpër popullsinë tonë të painfektuar ende nga disa difekte të civilizimit - që në të tilla raste popujve të rinj u

jep veçse një gotë me helm - ekziston ende një sens moraliteti dhe një konceptim i jetës që të japin freskinë e një oazi.

Ndër ne ekziston 'romakja' "ti". Ti je Mbreti, ti je Ministri, ti je miku më i ngushtë. Dhe nëna, për sa kohë që gjyshja është gjallë, thirret prej fëmijëve me emrin e vajzërisë; dhe në të njëjtën mënyrë, edhe babai, përsa kohë është gjallë gjyshi. Mendoni pak dhe më thoni nëse gjeni apo jo në këtë psikologji, limfën e fortë e të shëndetshme të popujve që lindin me hierarkinë në mendje e në zemër, ashtu siç lindin e rriten njerëzit e shëndetshëm me shumë rruaza të kuqe në gjak.

Njerëzve të tillë, mbi të gjitha, u drejtoi përkujdesjet e tij Udhëheqësi ynë. Dhe këta njerëz dëshironin që ai të bëhej Mbret.

Këtu është e nevojshme një parantezë.

Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit (autorit të librit - shën. i përkth. N.K.) iu duk i parakohshëm ndërrimi i regjimit, duke thënë se ndoshta do të ishte më mirë të vazhdonim sipas shkallëve, duke filluar me shpalljen e një Presidence të përjetshme, me qëllim që të shkohej drejt Monarkisë.

Por u binda se e kisha gabim kur pashë manifestimet publike. Megjithatë qëndrova në postin tim, besnik ndaj Atdheut, besnik

ndaj Mikut të Madh. Dhe, mbas ndryshimit të regjimit, u hoqa mënjanë me dinjitet, sepse në disa çështje, nuk bëhen dot ndryshime të menjëhershme. U hoqa mënjanë me disiplinën e një ushtari të mirë që mbaron shërbimin. Dhe kjo ishte mjaft e

dhimbshme për mua, por e domosdoshme; dhe nuk ndejta pa thënë e pa e shkruar se (jo se duhej aprovimi im për gjërat që po ndodhnin, por për të qenë të qartë përballë njerëzve malinj) -përkulesha para vullnetit të Popullit dhe se s'dëshiroja gjë tjetër veçse një të ardhme të ndritshme të Popullit e të Sovranit, sepse asnjë komb i botës s'mund të jetë i fortë nëse nuk është i disiplinuar dhe nëse nuk ka bashkëpunimin ndërmjet vedi. Dhe përmbusha kështu një detyrë si veteran i Idesë Kombëtare.

Këtu po e mbyll parantezën.

Në periudhën e shkurtër të jetës republikane të vendit, u bënë shumë gjëra, të cilat ishin në llogarinë pozitive të presidentit, dhe, siç e kemi parë, (këto fakte) nuk bënin gjë tjetër veçse rrisnin tendencën për të shkuar drejt Monarkisë.

Dhe nuk është pa vend të kujtojmë se nga mbledhjet e Asamblesë (janar 1925) deri në shpalljen e Republikës, rruga qe mjaft e vështirë, sepse maxhorancës i dukej shumë e vështirë që populli, - tëpër i ri politikisht dhe pjesërisht i infektuar nga revolucioni i një viti më parë - të mund të pranonte qetësisht qeverisjen nën një regjim republikan. Por më pas, duke marrë parasysh se mund të shkonim drejt rrezikut të hapjes së shtigjeve të reja ndaj aventurave politike të rrezikshme, dhe se dukej mosmirënjohëse ndaj Zogut të mos ia jepje postin më të lartë shtetëror, siç ishte Presidenca e Republikës, u mor vendimi që të hiqej dorë nga Monarkia. Por në njerëzit e afërt të Zogut, ishte bindja e fortë se Ai, nën çfarëdo forme, nuk duhej ta braktiste kurrë kreun e shtetit.

Kësaj duhet t'i shtojmë se populli ynë nuk kishte traditë republikane fare.

Më 25 gusht 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese e cila më 1 shtator shpalli Monarkinë, duke shpallur Zogun e Parë si Kryetar dhe Themelues të Dinastisë, me titullin Mbreti i Shqiptarëve.

Për shkak se ky lajm pritej me mjaft interes në çdo cep të Shqipërisë, - lajmërimi i bërë zyrytarisht në Tiranë rreth orës 10:00 të mëngjesit të 1 shtatorit, dhe më pas në të gjithë vendin, - ngriti një entuziazëm të madh.

Në orën 16:00 të së njëjtës ditë NMT Zogu I, bëri para Asamblesë, me një solemnitet të madh, betimin e mëposhtëm:

"Unë, Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në momentin në të cilin hipi mbi Fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe pajisem me Fuqinë e Sovranit, betohem para Zotit se do të mbroj bashkimin e kombit, pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit. Betohem se do t'i qëndroj besnik Statutit Themeltar, duke ndjekur dispozitat e tij, dhe do të respektoj ligjet në fuqi, duke marrë parasysh në çdo rast dhe në çdo moment interesat e popullit. Zoti më ndihmoftë!"

Qeveria e parë që e njohu, përshëndeti dhe e përgëzoi përzemërsisht Regjimin e ri Monarkik, ishte Qeveria Italiane, që nëpërmjet Ministrit të Italisë i dërgoi këtë mesazh:

"I paraqes Madhërisë Suaj përshëndetjen e parë të Kombit Aleat.

Qeveria e Madhërisë së Tij Mbretit të Italisë më ka dhënë udhrin, të cilin po e kryej me gëzim e kënaqësi, që të hyj menjëherë në relacione zyrtare me qeverinë e Madhërisë Suaj, Mbretit të Shqiptarëve.

Qeveria ime sheh me aprovim dhe pëlqim ndryshimin e regjimit që solli Madhërinë Tuaj në krye të fronit që Gjergj Kastriot Skënderbeu, aleati besnik i Italisë, kishte lënë bosh për pesë shekuj.

Jam i sigurt se Madhëria Juaj do të frymëzohet nga tradita e Pararendësit të Madh për të ruajtur dhe forcuar gjithmonë e më tepër aleancën që marrëdhëniet historike e arsyet gjeografike i konsolidojnë dhe ua rrisin vlerën.

Misioni në shërbim të Popullit shqiptar, nisur prej Madhërisë Suaj që prej kohësh, është i shoqëruar edhe me urimet më të nxehta të popullit dhe qeverisë së Madhërisë së Tij, Sovrani Im August. Sola."

Menjëherë NMT Mbreti Zog I-rë i përgjigjet si më poshtë:

"Jam thellësisht i prekur nga fjalët e urimet e Shkëlqesisë Suaj. Kini mirësinë t'i paraqisni falënderimet e mia më të nxehta Madhërisë së Tij Sovranit August të Italisë, Duçes dhe Popullit të Madh Italian për ndihmën që i kanë dhënë popullit shqiptar dhe mua personalisht.

Dua ta siguroj Qeverinë Aleate se lidhjet miqësore dhe të sinqerta që tashmë ekzistojnë, në të ardhmen do të bëhen gjithmonë më të përzemërta.

Traktati i Aleancës së bërë ndërmjet dy qeverive do të vazhdojë edhe përtej periudhës së përcaktuar dhe nuk do të ketë

kufizim.

Personalisht falenderoj Shkëlqesinë Tuaj që ka bashkëpunuar për zhvillimin e lidhjeve të mira ndërmjet dy shteteve e me një punë të palodhshme ka sjellë një gjendje marrëdhëniesh mjaft të mira.

Ndihem i obliguar në mënyrë speciale të lus shkëlqesinë Tuaj që të sigurojë Duçen për miqësinë time të pandryshueshme dhe për mirënjohjen time.

Zogu I."

Njëri pas tjetrit të gjithë shtetet e tjera të botës njohën dhe uruan regjimin e ri monarkik.

Ka edhe të huaj të cilët kanë menduar se Mbreti, - duke u ngjitur në një shkallë që është më e lartë se ajo e presidentit,

sidomos për shkak se është i përhershëm, i trashëgueshëm dhe i rrethuar me një aureolë tjetër, - është shkëputur nga populli i vet, por e kanë gabim.

Zogu I-rë, edhe pse i ka kaluar të 40-tat, është gjithmonë i gjallë në trup e në shpirt. Dhe nuk e tremb puna, sepse është në

korrent të të gjithë ecurisë së makinës shtetërore dhe ndjek me vëmendje si punën e ministrave, ashtu dhe të funksionarëve të

thjeshtë.

I pajisur me një memorie të mrekullueshme, në këto 16 vite të një aktiviteti dinamik, ka pasur rast të njohë pothuajse të gjithë funksionarët e Shtetit dhe ua njeh mirë meritat dhe difektet.

Për shkak të këtyre cilësive vjen edhe ajo fjala që është thënë për të se prej njerëzish të ndarë e të përçarë ka bërë një komb dhe këtë komb e ka bërë një Mbretëri.

XI.

Politika e brendshme

Politika e brendshme e Zogut si Ministër i Punëve të Brendshme, Kryeministër, President i Republikës dhe Mbret, ka pasur gjithmonë si frymëzim shpirtëror principin se autoriteti i përfaqësuesit të shtetit dhe i funksionarit të administratës duhet të respektohet plotësisht, pa ndërhyrje, përmes një disipline të hekurt si komandantët e ushtarët.

Kam nderin që ta njoh personalisht që prej 18 vitesh: është një njeri që ka ide të fuqishme e të qarta që lindin spontanisht në trurin e tij. Dhe nëse Qeveria ka kryer ndonjëherë gabime taktike - dhe nuk jam unë ai që duhet t'i përcaktoj - ato nuk mund t'i mvishen Sovranit, por atij që me qëllim të mirë a të keq ka marrë masa të gabuara ose ka treguar indulgjencë në raste të palejueshme.

Nuk dua të them se po shkruaj një gjë të re, por le të kujtojmë se vizitues i padëmshëm i çdo rizbulimi, i pavëzhguar dhe i lejuar gjithandej, ndoshta është vetëm ai që mund të lëvizë nëpër horizontin e sinqeritetit. Por ai që është lart, sa më lart të ngjitet, aq më shumë izolohet ose vihet nën mbikëqyrje, sepse të gjithë, ose pothuaj të gjithë e quajnë si detyrim të vetin të zbulojnë dëshirat e larta, ose t'ia shpërblejnë të mirën me mosmirënjohje.

Bindja ime e thellë dhe e fortë është se NMT Zogu I-rë ka qenë largpamës, me një sy të mprehtë që shihte në thelb të gjërave, gjenial, cilësi këto të dhëna me bollëk nga Providenca Hyjnore, që ia arriti që një popullatë të papregatitur për jetën politike, edhe pse fisnike, të sulmuar nga shumë armiq, ta bashkonte dhe ta disiplinonte me një grusht të hekurt.

Shumë herë mendoj se nëse Ai do t'ua kishte vënë veshin të gjitha këshillave - ndoshta duke ia filluar me mua, bashkëpunëtori i tij i orëve të para - brenda shumë mundësish ai nuk do ta kishte shpëtuar vendin, sepse zor se do t'ia kishte arritur t'i jepte ritimin e duhur për normalizimin e Kombit tonë. Dhe duke u shpërhapur në reflektimet e mia, duke krahasuar e peshuar

njerëz e gjëra të një vendi të vogël e të trazuar, ku mungonte një literaturë vërtet edukuese dhe një kulturë politike, dhe duke qenë subjekt i intrigave ndërkombëtare të një egërsie të skëterrshme, - më çimentohet gjithmonë e më tepër bindja e pakthyeshme se Ai duhet të ketë kaluar vështirësi të stërmëdha që duhej ta kishin dërrmuar çdo inteligjencë normale!

Qysh përpara se të hipte në fron, atij i është dashur që të përballet me mentalitetin e mikut idealist por të pakënaqur për shkak të... fatit (i dashur lexues, në listën e këtyre të fundit fut po deshe edhe emrin e këtij që shkruan). Atij i është dashur që t'i bëjë ballë aventurierit dhe rrëmujaxhiut, i është dashur të kapërcejë me kujdes nëpër kurthe shumë të zorshme të disa njerëzve dhelpërakë dhe të pashpirt, të maskuar në atë formë saqë mund të të fusnin në mes të oqeanit me pretendimin se po të nxirrnin në shëtitje nëpër lulishte, apo në parkun e lulëzuar e të ëmbël të një qyteti!

Po megjithë këtë ai diti të shpjerë drejt portit anijen e kombit, duke vozitur me mjeshtëri nga një shkëmb nënujor në një tjetër, duke kapërcyer me manovra mjeshtërore velash dhe rremash, disa furtuna kombëtare e ndërkombëtare.

Dhe parimi i tij i patundur, - që autoriteti shtetnor duhet të jetë i fortë në pikëpamje njerëzore, dhe i respektueshëm ushtarakisht, - ia arriti të mbijetojë.

Që të kemi një ide të vështirësive dhe të fazave të luftës së tij, po ju përshkruaj disa episode.

Kur ishte Ministër i punëve të brendshme pa mbushur ende 25 vjeç, e pa veten të detyruar t'i bëjë ballë njërit prej akteve të para antishtetërore të rrëmujaxhinjve, por ndërkaq ia arriti të kapë me armë në dorë një kriminel të guximshëm, sa injorant aq edhe trim, i cili prishte rendin publik me krime të shpeshta që synonin edhe një triumf politik, duke rrëzuar ministrinë, e cila siç e kam thënë më përpara mbështetej e gjitha mbi shpatullat e ministrit më të ri të qeverisë.

Mbasi e kapi dhe i bëri një proces të shpejtë kriminelit, duke e dënuar me vdekje, mbreti i ardhshëm urdhëroi disa nga oficerët e tij më të devotshëm që të ekzekutonin menjëherë vendimin. Por kur një prej tyre i tha miqësisht se do të ishte më mirë të kishin një vendim ekzekutimi nga Regjenca, ai iu përgjigj duke buzëqeshur "a mos keni qejf që të merrni një dekret faljeje?! Në daç u formos para, në daç mbrapa, është e njëjta gjë. E rëndësishme është që ky njeri i rrezikshëm për vendin të zhduket sa më shpejt."

Dhe krimineli u pushkatua.

Fajtori i trishtuar kërciste dhëmbët e dridhej si një purtekë nga frika; kjo gjë provon edhe njëherë fuqinë e grushtit të drejtësisë, edhe mbi ata të cilët në kundërshtim me ligjin janë përballur njëmijë herë me vdekjen.

Edhe një rast tjetër.

Ndërsa një ditë po shkonte në Kryeministri, i shkon nëpër mend t'i bëjë një vizitë Zyrës së Nënprefekturës së Tiranës - që asokohe bënte pjesë në Prefekturën e Durrësit.

Në fund të shkallëve gjen një numër të madh fshatarësh, të cilët, të ulur përtokë, prisnin me shpresë se mund të hynin në zyrat e shtetit për të kryer punët e veta.

Pyet njërin pas tjetrit, por përkujdest më tepër për një grua të varfër, e cila mbante në gji një fëmijë të vogël. E fton që ta ndjekë e të hyjnë në zyra. Por gruaja shkon pas tij vetëm për shkak të një ndjenje simpatie e ngrohtësie dhe thotë se nuk dëshiron që djaloshit të ri e fisnik t'i ndodhë ndonjë incident me zyrtarët, prandaj i lutet me një ton prekës siç e kanë, në gjuhën e thjeshtë të traditës, shqiptarët:

"Jo, jo ti s'duhet të më shoqërosh, sepse do të ta mbyllin derën e do të të përzënë. Jo ti... Por më mirë thuaji këtij këtu, po pranoi, dhe do të shohësh se do të rregullohet puna..." Duke thënë kështu, ajo i tregon një kapter xhandarmërie, i cili e shoqëronte duke mbajtur një çantë të madhe në sup.

Ai qesh, dhe i thotë me një ton që nuk pranonte replikë: "Eja me mua!" dhe ngjitet drejt e në zyrë.

Qëndrimi i vrullshëm 'gatitu' i xhandarëve të shërbimit, ngritja e menjëhershme në këmbë e funksionarëve e alarmojnë gruan e mirë, që tërheq ëmbëlsisht për xhakete mbrojtësin e saj dhe shtyn me insistim përpara kapterin. Në sytë e saj, ky reagim i zyrtarëve, vinte për shkak të uniformës së kapterit, ndërsa gjithçka tjetër e interpretonte si akte kundërshtimi kundër kësaj hyrjeje të papranueshme.

Duke iu drejtuar Nënprefektit, i thotë: "Keni dy orë kohë për të vepruar e për t'i mbaruar kohë kësaj gruaje! Dhe mbajeni mend: njerëzit nuk duhet të lihen në mëshirën tuaj e të sekretarëve tuaj!"

Gruaja habitet krejt dhe kur e merr veten pyet:

"Kush është ky?"

"Ahmet Zogu!" përgjigjet kapteri duke buzëqeshur.

"Ah!" shpërthen ajo. "Tani po e kuptoj! Zoti e ruajtë!"

Po atë ditë në të gjitha prefekturat janë shpërndarë si rrufeja disa qarkore të ashpra që urdhërojnë edhe njëherë, edhe më ashpër, - njerëzillëk dhe punë të papërtueshme në shërbim të njerëzve.

Më shumë se disertacionet e nxjerra nga filozofia e historisë, vlejnë tregimet e faktet kuptimplote për të të dhënë një ide se çfarë ishte Shqipëria në kohën kur Zogu i vuri si qëllim vetes ta disiplinonte e ta lartësonte.

Vijon numrin e ardhshëm

Përktheu: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›