E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, gjykata kishte lëshuar urdhrin e mbrojtjes, i shoqi e masakron

Edhe pse gjykata e kryeqytetit kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për të, duke qenë se dhunohej barbarisht nga i shoqi, ky i fundit nuk i ka rezistuar dot tundimit për të rrahur sërish të shoqen. Por, kësaj rradhe 37 vjeçari Luan Ndreu ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit dhe tashmë do të gjykohet për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes. Ndërkohë, po për dhunimin e së shoqes, ndërkohë që kjo e fundit kishte përfituar një urdhër mbrojtjeje nga ana e gjykatës, është shpallur në kërkim 40 vjeçari Flamur Konesha. Vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, policia bën të ditur se janë lëshuar mbi 146 urdhra mbrojtjeje për gratë e dhunuara nga bashkëshortët e tyre.

Rastet

Një grua, identiteti i të cilës nuk është bërë i ditur nga ana e policisë, është përballur sërish me grushta dhe fyerje nga ana e bashkëshortit të vet, edhe pse vetëm pak ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për të. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në Institutin Bujqësor të Kamzës, në një banesë ku jetonte 37 vjeçari dibran Luan Ndreu, së bashku me bashkëshorten e vet, edhe pse këta të fundit prej disa kohësh jetonin të ndarë, por për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, ishin detyruar që të jetonin në të njëjtën banesë, të cilën e kishin ndarë në mes. Mësohet se si pasojë e dhunës së përsëritur nga ana e 37 vjeçarit Ndreu, bashkëshortja e tij i ishte drejtuar gjykatës së kryeqytetit, e cila me vendimin nr.7319, datë 3 shtator 2008, kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për të. Por, jetesa në të njëjtën banesë, edhe pse të ndarë, është bërë shkak që edhe pas urdhrit të mbrojtjes së lëshuar nga ana e gjykatës, Luan Ndreu të ushtrojë sërish dhunë ndaj së shoqes. Kjo ka bërë që bashkëshortja e Ndreut t’i drejtohet policisë së kryeqytetit, e cila ka bërë të mundur edhe prangosjen e tij. Sipas burimeve të policisë, ky i fundit ka fyer dhe goditur me grushte në kokë, pa ndonjë shkak bashkëshorten e vet. Ndërkohë, 37 vjeçari tashmë do të përballet me akuzat e “Dëmtimeve të tjera me dashje”, “Fyerjes” dhe “Pengimit për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”. Sakaq, po për dhunim të bashkëshortes, edhe pse për këtë të fundit ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje nga ana e Gjykatës së Durrësit, është shpallur në kërkim 40 vjeçari Flamur Konesha. Sipas burimeve të policisë, ky i fundit është denoncuar nga bashkëshortja e vet, 27 vjeçarja me inicialet L. K., e cila pretendon se është dhunuar nga bashkëshorti. Mësohet se 27 vjeçarja e kë bërë denoncimin e saj gjatë ditës së djeshme, teksa në deklaratën e bërë në polici, ajo ka thënë se 40 vjeçari Konesha e ka dhunuar fizikisht, duke shkelur kështu edhe vendimin e Gjykatës së Durrësit.

Dhuna

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se, vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti ka përgatitur 146 urdhra mbrojtje për viktimat e dhunës në familje, që në të shumtën e rasteve janë femra të keqtrajtuara nga bashkëshortët e tyre, si dhe fëmijë. Sipas të dhënave të policisë, rezulton se qendrat më problematike për sa i përket përhapjes së dhunës në familje, janë zonat periferike të qendrave të mëdha urbane, si: Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, etj. Sipas specialistëve, kërkesë- paditë e viktimave të kësaj dhune merren në shqyrtim nga seksionet e posaçme të ngritura në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, dhe më pas depozitohen në gjykata, ku brenda 48 orëve merret vendimi përkatës. Në ligjin “Për parandalimin e dhunës në familje”, parashikohen masa mbrojtjeje për viktimat, si: urdhërohet dhunuesi të ndalojë së kryeri ose kërcënuari për një akt dhune në familje, të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë me viktimën, largohet dhunuesi nga banesa për një afat kohor të caktuar; ndalohet t'i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës, apo çdo vendi tjetër të frekuentuar nga viktima. Në rast të shkeljes së vendimit të gjykatës, dhunuesi arrestohet nga shërbimet e policisë, të cilat kanë informacione të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të gjykatës, përmes interesimit dhe kontakteve të vazhdueshme me viktimat e dhunës brenda familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›