Investimet e huaja shkojnë në 230 milionë euro, më të ulëtat në rajon
Investimet e huaja direkte në vend me gjithë projektet apo parashikimet e mëdha për gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë kanë qenë thuajse në nivelet e rritjes së viteve të kaluara. Banka Botërore tha se klima e biznesit në vend është e mirë dhe qeveria ka shumë kohë që paraqet interes te investitorët e huaj, megjithatë investimet e huaja në vend janë të ulëta dhe janë vetëm 6 për qind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Kjo është shifra zyrtare për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Megjithatë investimet e huaja për tre vjet kanë lëvizur nga 3 për qind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar në gjashtë për qind. Në këtë kuptim ato janë dyfishuar pavarësisht se në rajon Shqipëria është e fundit në rajon për investimet e huaja direkte. Serbia ka një nivel të investimeve të huaja prej 7 miliardë dollarësh dhe është ndër vendet e fundit të rajonit. Vlera totale e investimeve të huaja në Shqipëri për gjashtë muajt e parë të vitit arriti në rreth 230 milionë euro. Rritja me dy herë e investimeve të huaja që ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve është krejtësisht e papërfillshme dhe është po në të njëjtin ritëm me investimet e huaja gjatë viteve 2002 -2005. Gjatë viteve 2002-2005 niveli i investimeve të huaja direkte është rritur pak më shumë se 210 për qind ose rreth 2.1 herë. Klima për investime nuk po jep rezultatin që pritet në investimet e huaja direkte dhe kjo do të thotë se ende shumë elementë të tjera janë të rëndësishëm. Marrja e një licence apo një leje është lehtësuar shumë por është problematike hipotekimi i pronës, është e vështirë marrëdhënia mes kontraktuesve, mes tyre dhe administratës. Klima e biznesit tha Banka Botërore është shumë e mirë, por ndërkohë Fondi Monetar ndërkombëtar që bën një gjykim nisur nga një kuadër më i gjerë i zhvillimeve ekonomike tha se në vend ka rreziqe të shumta që nisin që nga frika për rritje të inflacionit, nga thellimi i deficitit e deri tek dobësim i fortë i llogarisë korente. Ministria e Ekonomisë njoftoi dje megjithatë se investimet e huaja janë rritur me 65 për qind gjatë gjashtë muajve, por pathënë se sa është shifra e shtuar e investimeve të huaja në gjashtë muaj krahasuar me vjet. Vlera e shtuar e investimeve të huaja këtë vit në krahasim me vjet për gjashtë muaj është rreth 100 milionë dollarë.