Liderët e tranzicionit
Për psikologjinë e liderëve në shtetet në tranzicion mund të përfundojmë shumëçka bazuar në sjelljet e tyre jashtë orarit të punës. Në kohë të lirë liderët tranzicionalë merren me sporte luftarake: karate, kung-fu, taekwondo, shaolin, ose luajnë futboll në ndonjë sallë, duke goditur kolegët e tyre këmbëve dhe gjunjëve deri në gjakderdhje. Pra, udhëheqësit tanë preferojnë sportet ku parakusht është kontakti i drejtpërdrejtë, kontakti fizik, dhe ku nuk fiton gjithmonë ai që është më i mirë dhe më i fortë, por edhe ai që dinakërisht i parasheh anët e dobëta të kundërshtarit.
Në Perëndim, nga ana tjetër, liderët preferojnë tenisin, lundrimin, ose skitë në Davos, Saint Moritz ose Aspen. Janë këto sporte ku individi ballafaqohet në dyluftim me elementin natyror: me erën, borën, detin, ose në mes tij dhe kundërshtarit ndodhet rrjeta. Liderët tanë më të përparuar, në det blejnë jahte në vend të anijeve me vela dhe shumë më me qejf ato preferojnë t’i lidhin në Hvar, Dubrovnik ose Kotor – për t’u parë se kush janë.
Përderisa në perëndim për ngritje drejt suksesit ndihmon prejardhja familjare, përkatësia e ndonjë universiteti elitar dhe aftësia, te “10.000 më të lartët” tanë të sapo kompozuar ende vlen rregulli: “Mos më pyet për milionin e parë”. Në vend të lidhjeve të trashëguara, top-biznesmenët tanë mbajnë kontakte të hapura me gjysmëbotën, varësisht se nga cila anë vijnë – varësisht nga ajo nëse janë fqinjë të Klanit të Zvezdar-ës, Dorcol-it apo Niksic-it. Prandaj tek liderët tanë, në shtëpitë e rrethuara me mure, në vend të bibliotekës më së pari ndërtohet palestra për ngritje peshash - sa për të mos pasur dyshime se me çfarë mjetesh do të mbrohet pozicioni i fituar. Liderëve tanë u shkon për shtat edhe fakti se në rini janë ende sentimentalë dhe se në martesën e parë zakonisht hyjnë me simpatinë nga vendlindja, shkolla ose nga fqinjësia. Tek në martesën e dytë, ata martohen në stil perëndimor, me personin që do t’i kontribuojë imazhit që dëshirojnë t’ia prezantojnë opinionit. E pikërisht përzgjedhja e gruas së dytë është në rënie proporcionale në bursën e vlerave morale.
Nga cila shtresë sociale rekrutohen udhëheqësit tanë të tanishëm dhe të ardhshëm?
Pyetja nuk është retorike, ndërsa përgjigja fshihet në titullin e librit të njohur të Milomir Mariç, “Fëmijët e Komunizmit”(e unë do të shtoja: dhe nipërit). Naivëve u kanë lënë pozitat kinse më të rëndësishme në politikë, brenda së cilës rriten vetëm pemë gjetherënëse, ndërkohë që biznesi është degë e gjelbër përgjithmonë. Rrjedhimisht, nëpër terrenet tranzicionale ndërrohen sistemet, e edhe më tepër shtetet, por mbiemrat e atyre që vendosin ndërrohen shumë herë më pak.
Sa më diskret të ketë qenë pozita e paraardhësit në ndonjë polici të fshehtë, politike ose të ngjashme, për aq edhe kalimi nga spiunimi ideologjik në atë industrial ishte më i suksesshëm dhe pa pyetje të tepërta të punëdhënësve të ri. Ky rast në Rusi është më jodiskret, por shumë i suksesshëm, sepse atje bëhej fjalë për kuadro të dëshmuara dhe për nomenklaturë të besueshme.
Jeta e liderëve tranzicionalë është përplot strese. Prandaj te ata “në lojë janë” të gjitha metodat e mundura të ruajtjes dhe përparimit të shëndetit; që nga fitnesi, pilatesi e deri te kividieta (të hahet çdo gjë përveç kivit?!) Aktualisht, duhet pranuar se ata përfaqësojnë një nëngrup të njohur social, që më së miri i përshtatet asaj që Djilas para kohe e kishte quajtur “një klasë e re” dhe për shkak të së cilës kishte përfunduar në burg (sikurse edhe secili gjel që kukurisë para kohe).
Sot, qytetari i zakonshëm s’ka gjasë që të takojë ndonjërin prej këtyre liderëve të ri, njësoj sikurse që dikur vështirë e takonte ndonjë ministër të pushtetit të kaluar. Ata kanë ndërtuar mikro-lokalitetet e tyre, lagjet dhe vilat elitare dhe shoqërohen me njëri-tjetrin; botën e kufizuar me ‘Schengen’ e kapërcyen duke blerë nënshtetësi tjera. Tranzicioni është fjalë që për ta ka një kuptim krejt tjetër se sa për njeriun e zakonshëm.
Tek ta theksi është te ajo trans– kalim, e te ne në zicen (sitzen – të ulesh, respektivisht, ndalu ku je, sepse s’je as për aty ku je)...