Opozita bëri dje një përpjekje formale për t’u bashkuar në një tryezë me qëllim që t’iu japë shpresë mbështetësve të saj për një unitet formal kundër qeverisë. E shtuar me prezencën e Dules, tryeza u bë më mediatike se çfarë ishte në të vërtetë. Por misioni i tryezës ngjan shumë i keqkuptuar nga media dhe nga ata që duan të besojnë se opozita është e bashkuar. Problemi i një bashkimi formal të opozitës është një mit i krijuar për të mbushur boshllëkun që ka krijuar armiqësia reale mes Metës dhe Ramës. Miti i nevojës për bashkim nuk është as nevojë dhe as qëllim i tyre. Ai është thjesht një mit i ngritur për të qenë një kauzë e gatshme për njëri- tjetrin lidhur me rezultatin e sigurt të mosbashkimit. Dhe për ta bërë të sigurt rezultatin e mosbashkimit, të dy drejtuesit e së majtës kanë një debat të qartë politik lidhur me rrugën që duhet ndjekur për të bërë opozitë. Edi Rama është qartësisht i bindur se duke bashkëpunuar për reformat dhe duke dërrmuar qeverinë në imazh publik me historinë e Gërdecit dhe betejën e humbur antikorrupsion, mund të bëjë diferencën në opinion me Berishën, dhe shqiptarët do të votojnë listën e tij në vend të listës së Berishës në vitin 2009. I vetëdijshëm për një ekip të dobët që ka pas vetes, dhe për mungesë figurash me integritet politik, ai është i ngushëlluar nga ideja se sistemi elektoral e toleron këtë cilësi të dobët. Përballë tij, Sali Berisha po ashtu ka mundur të kthejë në eunukë gjithë grupin parlamentar, kabinetin dhe personalitete të pavarura, edhe pse kanë një histori të tërë politike pas vetes. Pra, Rama ka zgjedhur ta fitojë betejën duke ndryshuar kuadrin ligjor në favor të vet dhe forcimit të tij institucional në parti dhe mos lejimit të ndonjë alternative tjetër brenda PS nga ky kuadër përveç tij.
I gjendur ngushtë përballë kësaj alternative tinëzare, Meta po përpiqet ta shkëpusë nga kjo rrugë dhe ta fusë tek rruga e opozitës radikale, jashtëparlamentare dhe t’i heqë Ramës mundësinë për të bërë reforma bashkë me Berishën, natyrisht në favor të tyre. Duke e pasur këtë qëllim kryesor politik, Meta po përpiqet çdo ditë formalisht dhe joformalisht ta nxjerrë Ramën nga shinat e dialogut me Berishën dhe t’ia frenojë në mes bashkëpunimin për interes të tyre. Por për fatin e tij të keq, Rama është shumë i qartë për rëndësinë e rrugës që ka zgjedhur dhe provokimi nuk funksionon. Duke zgjedhur rrugën e opozitës së fortë radikale, Meta nuk është se shpreson të marrë shumë më tepër vota për vete, po kërkon t’i prishë skemën Edi Ramës dhe ta tërheqë atë në një fushë që ky di të luajë më mirë, duke i imponuar një rol udhëheqës si opozitar.
Duke qenë se të dy janë të qartë për taktikat e njëri- tjetrit, është shumë e qartë se nuk do t’ia pranojnë provokimet njëri- tjetrit. Tryeza e djeshme ishte një provokim i ndërsjellë për njëri-tjetrin. Nëse Meta nuk shkonte, Rama do ta akuzonte se po prish unitetin, tani që shkoi dhe propozoi një rrugë radikale, e akuzon se kërkon të prishë opozitën. E njëjta gjë ndodh dhe me Metën. Pra, problemi i tyre është se ata bashkimin e opozitës e kanë një mit që e kanë ngritur si instrument akuze për njëri- tjetrin, dhe jo si nevojë. Ata që besojnë realisht se ata janë duke vrarë mendjen se si do bashkohen do të zhgënjehen shpejt. Ashtu siç mund të zhgënjehen ata që shpresojnë se nga ndarja e tyre mund të fitojnë.