Ministri Danez: Presidenti me konsensus brenda 24 majit
Ministri për Çështje Evropiane të Danimarkës, Nicolai Wammen, i bën apel klasës politike shqiptare të gjejë konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës që në raundin e parë duke vënë theksin tek standardet e procesit, si një nga pikat kyçe që do të përcaktojë edhe ecurinë e reformave më pas. Duke folur në emër të presidencës së rradhës e cila kryesohet nga Danimarka, Ministri për Çështjet Europiane Wammen, u shpreh se zgjedhja e Presidentit është parësore dhe më pas të vijohet puna në përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.
Mesazhi
“Mesazhi i BE-së është shumë i qartë: 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. Pra siç e ka theksuar zoti Fule dhe unë gjithashtu në cilësinë time si kryetar i presidencës së radhës, e rëndësishme është të arrihet pikërisht realizimi i kësaj marrëveshje në 24 maj, pra të arrihet një marrëveshje për çështjet kryesore, pastaj puna do të vazhdojë mbrapa saj për çështje të tjera që lidhen me 12 përparësitë. Pastaj në vjeshtë do të kemi raportin e progresit apo ecurisë së Shqipërisë”, tha ai. Gjatë një takimi që zhvilloi dje me zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zyrtari i lartë Danez theksoi se, BE-ja do të ndjekë me vëmendje procesin për zgjedhjen e presidentit dhe ka pritshmëri të mëdha në lidhje me atë që do të ndodhë. “Bëhet fjalë për përgjegjësi të mëdha për sa i takon partive politike dhe udhëheqësve të tyre në Shqipëri. BE pret që politikanët shqiptarë ta justifikojnë këtë pritshmëri tonën”, – tha Wammen.
Statusi
Ndër të tjera ministri për Çështje Evropiane të Danimarkës deklaroi se dhënia e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të mbështetet në vepra konkrete dhe jo në fjalë dhe Shqipëria do të gjykohet në bazë të meritave të saj”. Sipas Wammen, është në dorën e Shqipërisë të bëjë pikërisht atë që pritet prej saj, të realizojë këtë përparim që BE pret. “Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, por punën e vështirë duhet ta bëjë vetë ajo”, -tha ai. Deklarata e zotit Wammen vjen pak ditë para fillimit të raudit të parë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga klasa politike në shqipëri, deklaratë e cila është në siknron edhe me qëndrime të disa zyrtarëve të lartë nga Brukseli që mbështetsin gjetjen e një konsensusi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Detaji
Danimarka, mbështet integrimin e Shqipërisë
Gjatë takimit të tij me kryeministrin Berisha, ministri danez Wammen, shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zoti Wammen shprehu angazhimin e Presidencës daneze për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke theksuar se Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë. Në vijim të interesit të ministrit danez Wammen për reformat e ndërmarra dhe zbatimin e tyre si kusht i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, Kryeministri pasi theksoi se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe përmbushjen e 12 prioriteteve, i bëri atij një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, në adoptimin dhe zbatimin e kornizës ligjore të nevojshme për integrimin evropian, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mënyrë të veçantë kryeministri u ndal tek reforma zgjedhore, ajo e rregullores së Parlamentit dhe ajo në drejtësi. Ai u shpreh se pas bllokimit më shumë se 2 vjeçar tashmë puna midis mazhorancës dhe opozitës i është kthyer normalitetit. Kryeministri theksoi se ndërkohë që janë miratuar ligjet me shumicë të cilësuar të kërkuara në 12 prioritetet, po bëhen të gjitha përpjekjet për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore bazuar plotësisht ne rekomandimet e OSBE/\ODIHR , asaj parlamentare etj.
Bamir Topi sot në OKB, debat
për gjendjen ekonomike globale
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të marrë pjesë sot në Debatin e Nivelit të Lartë që do të zhvillohet në Nju-Jork, më 17-18 maj. Në këtë aktivitet do të diskutohet për situatën ekonomike në botë dhe janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, si dhe drejtues të organizmave të rëndësishme ndërkombëtare, nga FMN-së, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Tregtisë, etj. Gjatë debatit të nivelit të lartë të përqëndruar mbi: Gjendjen ekonomike botërore, do të trajtohen një sërë tematikash mbi sfidat komplekse makro-ekonomike, me të cilat përballet bota si papunësia, borxhi, inflacioni, tregtia dhe investimet, si dhe rregullimi i sektorit financiar. Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë në kuadër të këtij debati, në të cilën do të përcjellë disa pikëpamje në lidhje me gjendjen ekonomike të krijuar nga kriza financiare dhe ekonomike. Presidenti Topi i shoqëruar nga zonja e parë Teuta Topi, u nis sot për në SHBA. Vizita e tij në këtë aktivitet vjen me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, Nasir Abdulaziz Al-Naser.
Kuvendin rikthen kufijtë sipas
vitit 2001, opozita shpreh konsensusin
Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ligjin për rikthimin e kufijve sipas ligjit të miratuar në vitin 2001. Deputetët e komisionit të Ligjeve së bashku me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani ranë dakord që të shfuqizojnë nenin 53 të ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror. Ky nen, i futur në janar të 2008-s, shfuqizonte 2 ligje të mëparshme të 2001-it që përcaktonin koordinatat kufitare detare të Shqipërisë. Tashmë këto koordinata janë sërish efektive. Problematika kryesore shfaqet me mungesën e kufijve shtetërore me Greqinë dhe Malin e Zi, me te cilët, do të rinegociohen marrëveshjet. Por, sipas deputetit propozues të ndryshimit ligjor, Ilir Gjoni, tashmë ekziston baza ligjore për marrëveshje, që nuk dëmtojnë Shqipërinë, siç ishte ajo me Greqinë. “Zhvillohet mbi një bazë ligjore të përcaktuar qartë, ashtu siç ka qenë e përcaktuar që në protokollin e Firences në 1925 edhe më pas, në 1946 dhe në një sërë ligjesh që kanë rregulluar marrëdhëniet kufitare mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinje gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 2008″, u shpreh deputeti socialist Ilir Gjoni.
