KiE, Jagland letër Berishës: Shqetësim për krizën pas 8 Majit
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, i është drejtuar dje me një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha. Në të ai shpreh shqetësimin mbi situatën pas zgjedhjeve lokale në vend dhe në veçanti për polemikat që pasuan pas zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Shumë kishin shpresuar se këto zgjedhje do të vendosnin standarde të reja, kur vjen puna te zhvillimi i zgjedhjeve, po aq sa edhe me përgjegjësinë e liderëve politikë dhe funksionimin e institucioneve demokratike”, shkruan ai. Këto shpresa janë përforcuar nga dita e votimit që shkoi pa probleme, por fatkeqësisht, vijon Jagland, për shkak të mosmarrëveshjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Shqipëria po përballet me një situatë të acaruar me ndarje politike që mund të kërcënojë përpjekjet për të siguruar institucione demokratike, qeverisje të mirë dhe progres të mëtejshëm ekonomik. “Si mik i Shqipërisë, jam i shqetësuar. Do të doja të apeloja me termat më të fortë të mundshëm për ju zoti Kryeministër dhe liderët e forcave të tjera politike në vendin tuaj, që të hyni menjëherë në dialog të sinqertë për të tejkaluar ngërçin politik, duke respektuar shtetin ligjor dhe parimet demokratike që priten nga çdo vend anëtar i Këshillit të Europës”, vijon letra e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës. Ai gjen rastin të informojë kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, se në lidhje me bazën ligjore me të cilën është marrë vendimi i Kolegjit Elektoral, ka qëllimin të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias, për të shmangur situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme. Letra e Jagland-it është publikuar dje në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, ndërsa mban datën 10 qershor 2011. Mbetet për t’u parë përgjigjja e kryeministrit Sali Berisha për këtë letër të dërguar në drejtim të tij nga ana e kreut të Këshillit të Europës.