Ja si gjendet një prostitutë luksi në Tiranë

“Janë shtetase, të cilat kanë një arsim të caktuar, mund të kenë një profesion dhe këtë e përdorin si profesion të dytë. Në rastet që janë evidentuar prostituta e luksit mund të jetë ajo lloj kategorie femrash, e cila është e mirëarsimuar, ka një përvojë të caktuar në aktivitetin që ka ushtruar, ka një lloj instruktimi nga tutori mbi mënyrën e sjelljes, duke i dhënë edhe detaje të klientit çfarë pozicioni shoqëror ka”, thotë Elton Shima, specialist i antitrafikut.
Kjo frazë e policisë së Tiranës përshkruan ato femra për të cilat francezët i quajnë ‘Pute De Luxe’ dhe anglezët “High-Priced Call Girls”, raporton "Top Channel". Ketij fenomeni nuk i ka shpëtuar edhe Shqipëria, për disa femra që edhe pse kanë një pozitë shoqërore të caktuar, ushtrojnë edhe këtë profesion përballë çmimeve ekstra, dhuratave tepër të shtrenjta apo përfitimeve të tjera materiale.
Prostitutat e luksit apo prostitutat elitare qarkullojnë për një rreth të mbyllur klientësh, siç mund të konsiderohen disa raste të evidentuara me klientë biznesmenë apo edhe vizitore të huaj të rangjeve e profesioneve të ndryshme.
“Ndër rastet më të përhapur ose fenomeni i cili është më i dukshëm, është kur menaxherët e lokaleve, hoteleve apo të gjitha shërbimeve të tjera për të siguruar të ardhura më të mëdha në aktivitetin e tyre të ligjshëm, në aktivitetin e tyre tregtar, përveç ofrimit të shërbimeve të ligjshme i ofrojnë klientëve të tyre, të interesuar për kryerjen e marrëdhënies seksuale kundrejt pagesës me personel i cili ofrohet si balerinë, këngëtare”, thotë Shima.
Referuar rasteve të referuara në Tirane, ja se në çfarë mënyre ofrohet një prostitutë.
“Tutori fillimisht kryen ndërmjetësimin e klientit me prostitutën. Tutori i propozon klientit, duke e pyetur nëse ka dëshirë për kryerjen e marrëdhënieve kundrejt pagesës me prostitutën. Duke iu referuar rasteve, apo hetimeve të mëparshme që ka pasur, çmimet për rastet kur femrat kryejnë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës kanë qenë nga 50 euro, deri në 250 euro, por ka pasur raste edhe 400 euro. Këtu flasim për kategorinë e femrave që në njëfarë mënyrë mund të quhen prostituta luksi, por që në bazë të ligjit konsiderohen njësoj si prostitutat e tjera”, tha Shima./Indeksonline/