E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si lindi videoklipi "Skënderbe"

Adelina Ismaili, së fundmi ka publikuar videoklipin e kënges “Skënderbe”, e cila, sipas saj, për disa vite ka qenë e censuruar në Kosovë.

Ajo ka rrëfyer arsyet pse ka vendosur ta risjellë këtë këngë, me ndihmën e të dashurit të saj:
"Ma kërkoi Vali dhe nuk më tregonte pse e donte. I thashë: “Merre, bëj çfarë të duash, mos humb lekë e kohë duke u munduar ta lançosh, e ke të censuruar”. E dija se po bënte videoklip, por nuk ndërhyra. Kur solli videoklipin pas shumë muajve, ishte hera e parë në jetën time që po shikoja një videoklip me këngën time pa kritikuar, pa bërë zhurmë për këtë skenë apo atë montim; nuk mund t’i gjeja as dhe një sekondë që do të më ngjallte dyshime. Ishte dhurata e tij për 26-vjetorin e karrierës sime dhe kontributi ynë për Mëvetësinë e Shqipërisë. Po qaja nga gëzimi, gati në delir. Ishte gjëja më e bukur që më kanë parë sytë ndonjëherë dhe nuk mund të ndaloja. Përveç gjithë madhështive që mbart kjo vepër, më ndihmoi të mendoj që unë mund të kompozoj diçka të madhe."

Duke folur për mediat shqiptare, Adelina ka shpjeguar tutje videoklipin:
"Animacioni nuk është shumë i njohur tek ne, ndërsa në Europë është tendencë, me një fjalë po bën namin. As nuk mund ta imagjinoja që dikush në Shqipëri vërtet mund të bënte animacion. Është një nga surprizat më të bukura që më kanë ndodhur në Shqipëri. Ok, e përsëris, është videoklipi i Valit . Mua më kanë vënë në klip, jam ajo lajmëtarja në kalë e veshur me të kuqe. Zotit faleminderit që nuk vërehet shumë. Do isha më shumë sesa në siklet po të më vinin përkrah gjithë atyre mjeshtërve që përndritën shqiptarinë me shekuj. Unë ende nuk kam arritur atë gradë dhe do ishte cinike të “parkohesha” krah tyre." /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›