Ja si përgjigjet Bashkia e Tiranës: Ndërtimet pa leje po i bëjnë eksponentë të Partisë Socialiste
Ka një shpresë se bashkë me largimin e Sali Berishës do marrë fund edhe tmerri që ka përjetuar Shqipëria me ndërtimet pa leje.
Së fundmi, gjatë fushatës zgjedhore, ndërtimet pa leje lulëzuan, sidomos në Tiranë, të mbrojtura nga Bashkia e Tiranës, që i duhej një situatë e tillë për të mbledhur vota.
Por tani që fushata ka mbaruar, Bashkia e Tiranës ka bërë një akuzë që të lë me gojë hapur: ndërtimet pa leje në Tiranë i paskan bërë eksponentët politikë të Partisë Socialiste.
Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen e saj për instrumentalizimin politik që prej ditësh po u bëhet ndërtimeve pa leje në Tiranë.
Përdorimi politik i kësaj çështje natyrisht bëhet për të fshehur ndërtimet pa leje që po kryejnë eksponentë politikë dhe madje vetë PS.
Bashkia e Tiranës i bën thirrje PS, që në vend që të harxhojë energji duke e përdorur politikisht ketë çështje, tu bëjë thirrje eksponentëve të saj ti binden ligjit dhe të mos ndërtojnë pa leje.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS të mos i mashtrojnë qytetarët me legalizim të ndërtimeve pa leje, pasi asnjë ndërtim pa leje nuk do të legalizohet.
Bashkia e Tiranës shpreh dhe njëherë vendosmërinë saj për të prishur çdo ndërtim pa leje, proces i cili vijon çdo ditë pa ndalur, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës./ep