“Më 23 qershor, Edi Ramën e pret fati politik që tiranasit i dhanë diktatorit të fundit komunist”

“Në historinë e tyre të vështirë, shqiptarët ia kanë dalë të krijojnë qendra të mëdha me rrezatim të fuqishëm në rajon dhe më gjerë, por që nga koha e Skënderbeut të gjitha përpjekjet e tyre për të pasur një kryeqytet u vështirësuan në shkallë ekstreme dhe fakti që ne sot festojmë 93 vjetorin e kryeqytetit tonë, i shpallur i tillë rreth 7 vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dëshmon se dhe në ato vite, ne mbetëm si një komb me kryeqytet shëtitës, dhe kjo jo se shqiptarët nuk donin të kishin kryeqytetin e tyre, por se fuqi brenda dhe jashtë vendit që punonin me vendosmërinë më të madhe për asgjësimin politik të kombit shqiptar, iu bënë atyre të pamundur që të kenë kryeqytetin që meritonin.
Sot ne kremtojmë 93 vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe kjo ditë është ditë nderimi i madh, para së gjithash për qytetarët dhe qytetaret e Tiranës, ato gra dhe burra fisnikë, atdhetarë të flaktë të cilët shndërruan qytetin e tyre në kryeqytetin e vendit. Është një nderim i madh për ta, për virtytin e tyre, për mikpritjen e tyre, për atdhetarinë e tyre. Tirana ka një problem dhe këtë problem e ka në histori. Për fat të keq historianët akoma nuk na thonë ne dot, datat e lindjes së saj dhe të rolit të saj të madh. Tirana është shumë më e lashtë dhe roli i saj është shumë herë më i madh. Ata që lexojnë, studiues, ata që e kanë vizituar Tiranën dhe 170 vjet më parë që vinin nga Elbasani dhe njëri prej tyre është Johanes Hahn, një studiues i shquar, thotë : Tirana është qyteti më i bukur, në këtë qytet nuk ka të varfër, në këtë qytet që ai e përshkruan me 2 mijë shtëpi, në këtë qytet ka në rregull dhe një mikpritje të admirueshme. Një studiues tjetër francez, më i vonshëm i fillimit të shekullit që shkoi, i cili ka shkruar disa libra për shqiptarët dhe Shqipërinë “ E kuptova nga qytetarë të ndryshëm të Shqipërisë, përse ata me mburrje do të më thoshin mua se do të shkonin ne Tiranë, për të cilën shpreheshin “qytetin tonë të bukur”. Dhe më pas ai në njërin prej udhëtimeve të tij nga Shijaku në Tiranë thotë se unë “nuk u zhgënjeva me qytetin që gjeta në rrëzë të malit të Dajtit”.
Pra, Tirana jo rastësisht u zgjodh kryeqytet. Për ata që zgjodhën Tiranën kryeqytet, ata morën një vendim gjenial kombëtar sepse askund tjetër nuk mund të vendosnin zemrën dhe trurin e kombit, më mirë sesa në qytetin e Tiranës.
Prandaj kjo ditë është një nderim i madh për ata burra, të cilët mes vështirësive të jashtëzakonshme, rreziqeve që ne sot as nuk mund ti imagjinojmë, nga Lushnja ndërmorën marshimin drejt Tiranës dhe vendosën këtu qeverinë e “Kongresit të Lushnjës”, e cila në historinë tonë kombëtare është qeveria më reformatore që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë, qeveria e cila më një guxim të jashtëzakonshëm hodhi poshtë të gjitha traktatet që parashikonin dhe stimulonin copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare, qeveri e cila hodhi poshtë të gjithë përpjekjet antishqiptare, të shqiptarëve “pa atdhe”, të cilët kishin ardhur nga perandoria, kishin pothuajse zero substancë kombëtare dhe bënin pazar nga mëngjesi deri në darkë me vendin dhe kombin e tyre.
Pak ditë më parë nderuam ndofta mikun më të madh të këtij kombi, Aubrey Herbert. Ai tregon një shkëputje të madhe midis grupit, le ta quajmë elitë, me qytetarët të thjeshtë. Në Vlorë thotë, qytetarët më priten më shumë se një hero, ndërsa në mbledhje,në mbrëmje kur rrija me ta (pseudo-shqiptarët) bënin çdo gjë për të përmbysur qeverinë e Ismail Qemalit dhe për ta përmbysur atë absolutisht vetëm për interesa të të tjerëve. U ndala në këto rrethana, për atë qeveri që një historian me të drejtë e ka quajtur një mrekulli e vërtete shqiptare, për të mos thënë të gjitha pozicionet strategjike të Jugut të Shqipërisë ishin në atë periudhë, nën një pushtim të egër të të dy fqinjëve tanë.
Kryeministri Sulejman Delvina është pa mëdyshje ndofta diplomati më i shquar në historinë këtij kombi, bashkë me Mehmet Konicën dhe kushtet në të cilat ata u themeluan, kishin përballë një perandori që kishte pushtuar territoret e tyre. Ti shpallje luftë do të thoshe të humbje të gjithë territorin, por të pranoje pushtimin do të ishte më e pamundura.
Këta bura arritën të organizojnë Luftën e Vlorës, të cilën historia e ka falsifikuar si dhe tërë historinë e tjetër. Luftëtarët e kësaj lufte u armatosën, u stërvitën dhe u mbështetën në çdo hap të tyre nga qeveria e Vlorës dhe ministri më i njohur nga kjo qeveri, për çlirimin e Vlorës dhe territoreve të tjera të pushtuara.
Qeveria që u instalua në Tiranë, ndërmori reforma historike, vendosi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht që zgjedhjet u realizuan disa muaj më vonë por ajo hodhi themelet e një Shqipërie demokratike, e një Shqipërie perëndimore, e një Shqipërie të bazuar në vlerat më të mira të qytetërimit perëndimor.
Tirana sot është 93 vjeç, si kryeqytet. Shqiptarët kudo që janë duan që në këtë qytet të mrekullueshëm, në epiqendrën e tyre, të vendosin ëndrrën , ti bëjnë ato në realitet.
Tirana ka qenë dhe mbetet qyteti frymëzues i të gjitha lëvizjeve çlirimtare të shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Tirana ka qenë dhe mbetet lokomotivë kryesore e zhvillimit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, epiqendër të mendimit të saj filozofik , intelektual dhe krijues.
Tirana në 93 vite u përball dhe ajo me përpjekje të mëdha për ndalimin e kohës së saj, por koha e Tiranës nuk mund të ndalet. Në kohë të lirë, në pak vite, falë qytetarëve të saj mrekullueshëm pozicionit të saj gjeografik nga më të bukurit, Tirana po shndërrohet një nga qytetet më moderne të Ballkanit. Më pas, diktatura në mënyrën më të pamëshirë, po e kthente qytetin në një qytet të mbyllur, me të cilin ne nuk kishim asnjë lidhje.
Sërish sot, në kohë lirie unë dua të përshëndes kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak për projektet e mëdha, të cilat janë rikthyer, si projektet më të bukura, për dimensionet që kryeqyteti meriton dhe unë kam bindjen se në një kohë të shkurtër, do të kapet koha e humbur, do të kapet koha e ndaluar dhe Tirana sërish do të shndërrohet në një nga qendrat më të bukura, jo vetëm në Shqipëri, trojeve shqiptare, por edhe rajonit e më gjerë.
Është pa diskutim në detyrën tonë të nderonim qeverinë e Kongresit të Lushnjës. Ndihem shumë i lehtësuar që dy muaj më parë ne rikthyem në Shqipëri eshtrat e burrit që bëri aq shumë që shqiptarët të kishin Tiranën kryeqytet dhe ti gëzohen. Ridimensione të tjera të historisë duhet të bëhen dhe do të bëhen.
Zoti Kryetar i Bashkisë,
Së bashku kemi diskutuar për Xhaminë dhe kam shumë kënaqësi, pasi nuk ka gjë më të padrejtë dhe më të pandershme se sa të krijosh, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve mollë te ndaluara. Nga marsi do të fillojnë punimet sepse kanë 20 vjet që qytetarët e Tiranës kërkojnë të kenë, ti luten Zotit dhe të falen në një Xhami të cilën e meritojnë.
Zoti Kryetar i Bashkisë,
Karshi Bankës është një ndërtesë historike, është ndërtesa e parlamentit. Së bashku atë ndërtesë duhet t’ia rikthejmë parlamentit të qytetit të Tiranës. Ai që ndërtoi sallën tuaj aty, ai e bëri për çdo gjë tjetër vetëm një karrige për qytetarët Tiranës nuk la. U kujdes shumë që të kishte karrige vetëm për këshilltarët dhe sekretarët. Në çdo parlament, krahas këshilltarëve është dhe qytetaria e cila kontrollon punën e tyre, e ndjek nga afër, ndaj dhe le ta shndërrojmë ne, atë ndërtesë në nderim të kryeqytetit tonë, në nderim të atyre që e bënë Tiranën kryeqytet, në një Këshill bashkiak, në një parlament të Tiranës, natyrisht duke u garantuar fëmijëve tanë një ambient shumë të përshtatshëm për Teatrin e tyre.
Tirana ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në proceset demokratike dhe ne çfarëdo që të bëjmë për këtë qytet nuk arrijmë të bëjmë atë që qyteti ka bërë për ne, për Shqipërinë.
Do të mbetet në mbetet në memorien e kohërave, vota e 31 marsit e vitit 1991, kur qytetarët Tiranës, në zonën ku diktatori i fundit komunist shqiptar ishte më i sigurtë, e nxorën jashtë politike me votën e tyre.
Sot ka një fat shumë të hidhur. Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet, si shpërblim për votën e qytetarëve të këtij qyteti të mrekullueshëm u mbyll derën e integrimit, e la Tiranën në mënyrën më të paimagjinueshme, jashtë familjes së kryeqyteteve të vendeve anëtare dhe të vendeve me status të familjeve evropiane.
Edhe këto jashtë çdo lloj sensi mirënjohje për këta qytetarë, jashtë çdo lloj respekti për vokacionin perëndimor, vokacion të cilin ne shqiptarët e kemi paguar me çmimin më të lartë dhe nuk mund ta injorojmë këtë, vokacion për të cilin janë bërë sakrificat më të jashtëzakonshme, sikundër janë bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të na e rrënuar këtë vokacion.
Megjithatë unë shpreh bindjen më të madhe se më 23 qershor me mençurinë e tyre , qytetarët e Tiranës do të votojnë për 93 vjetorin si kryeqytet, por do të votojnë edhe për qindra vitet e ardhshme si lokomotivë e këtij kombi drejt zhvillimit dhe Evropës.
* Fjala e plotë e Kryeministrit të Shqipërisë, në aktivitetin “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”