Jackson/ Përkujtimorja e mbretit të Pop-it i kushtoi Los Angelosit, 1.4 mln dollarë
Shërbimi përkujtimor i organizuar për këngëtarin Michael Jackson i kushtoi qytetit të Los Angelosit 1.4 milionë dollarë. Lajmi është konfirmuar nga kryetari i bashkisë pas përfundimit të ceremonisë që u zhvillua në Staples Center. Shifra përfshin shpenzimet që janë bërë në shumë drejtime, duke përmendur këtu shtimin e forcave të policisë në terren, pastrimin e rrugëve dhe ambienteve të tjera kryesisht nga shishet dhe objektet e tjera të konsumit të përditshëm, higjena publike, kontrolli i trafikut, dhe pjesa më e madhe e parave është përdorur gjatë ditës së martë kur u krye edhe ceremonia. Njoftimin e bëri me dije zëdhënësja Sarah Hamilton. 3000 policë, thuajse një e treta e të gjithë forcës së rendit në Los Angelos, ishin të pranishëm për të siguruar mbarëvajtjen e ceremonisë për nder të Michael Jakkson, saktësoi asistenti i shefit të policisë së Los Angelesit, Jim McDonnell. Qyteti, që ka një borxh aktual prej 530 milion dollarësh, nëpërmjet faqes së internetit të krijuar për fansat e Jacksonit, u ka bërë thirrje këtyrë të fundit për të dhuruar para, që do të ndihmonin për të mbuluar shpenzimet kolosale. Kështu mëngjesin e së martës, qindra donatorët kontribuan duke dhuruar më shumë se 17.000 dollarë nëpërmjet internetit.